Partitë politike kanë finalizuar paraqitjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Ndërsa disa prej tyre garojnë të vetme, të tjera janë rreshtuar në koalicione parazgjedhore. Deri më tani, në KQZ kanë aplikuar gjithsej 23 subjekte politike.
Partitë politike kanë përmbyllur afatin e paraqitjes së tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke zyrtarizuar format e garimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në këto zgjedhje përmes një koalicioni parazgjedhor, i quajtur “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje”. Përveç Vetëvendosjes, pjesë e tij janë edhe partnerët e deritanishëm, Guxo dhe Alternativa si dhe Partia Shqiptare Demokristiane, PSHDK.
Ndryshe nga Vetëvendosje, partitë e tjera parlamentare kanë vendosur të hyjnë të vetme në garë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë secila me listën e vet të kandidatëve. Edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e një koalicioni me AAK-në, këtë herë ka vendosur të konkurrojë e pavarur.
Profesori, Dorajet Imeri thotë se krijimi i koalicioneve parazgjedhore bëhet me qëllim të rritjes së votave derisa shprehet skeptik në arritjen e një rezultati të tillë.
“Natyrisht qëllimi është që të maksimizohet vota duke qenë se secila votë, përkatësisht secili mandat politik i deputetëve do të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme dhe institucioneve të tjera duke e ditur se në lojë do të jetë edhe çështja e presidentit të vendit. Koalicionet parazgjedhore janë të natyrshme dhe të domosdoshme për periudhën në të cilën flasim por nuk e di se sa do të rezultojnë të suksesshme”, tha Dorajet Imeri, profesor universitar.
Në KQZ janë paraqitur edhe koalicione të partive jo shumicë e po ashtu disa nga to në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të garojnë të vetme.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë periudhës 24 deri më 30 nëntor kanë aplikuar gjithsej 23 subjekte politike. Deri më 7 dhjetor, të gjitha subjektet që kërkojnë certifikimin duhet të dorëzojnë listat përfundimtare me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.



