Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka njoftuar se protesta për përkrahjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, do të zhvillohet edhe në Shkup më 13 dhjetor, duke filluar nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu”.

“Më 13 dhjetor, me fillim nga ora 13:00, do të protestojmë edhe në Shkup për të kërkuar drejtësi dhe për të treguar përkrahje ndaj çlirimtarëve që padrejtësisht po mbahen në burgjet e Hagës. Protesta është planifikuar të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’”, deklaroi Ahmeti, duke ftuar shqiptarët t’i bashkohen marshit, siç tha ai, “për të dëshmuar luftën e pastër për liri dhe pavarësi”.

Ahmeti ka marrë pjesë edhe në protestat e mëdha të mbajtura më herët në Prishtinë dhe Tiranë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar protestën e paralajmëruar nga Ahmeti si një “lëvizje të gabuar”.

“Kjo është një lëvizje e gabuar e Ahmetit dhe mendoj se duhet ta rimendojë këtë vendim. Me këtë protestë ata po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Vetëm po e vërtetojnë se në të ardhmen do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë partner koalicioni. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”, ka theksuar Mickoski.