Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, gjatë një kontrolli të realizuar sot në një barnatore në Prishtinë, kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të barnave të ndryshme me banderola të shteteve të huaja. Këto produkte nuk janë importuar përmes zinxhirit zyrtar të furnizimit dhe nuk figurojnë të jenë futur në Republikën e Kosovës nëpërmjet procedurave ligjore doganore.

Dogana e Kosovës ka theksuar se barnat e gjetura “përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, pasi origjina, cilësia dhe kushtet e ruajtjes së tyre nuk janë të garantuara sipas standardeve të kërkuara”. Autoritetet kanë sekuestruar të gjitha produktet dhe kanë iniciuar procedurat ligjore ndaj subjektit përgjegjës, duke njoftuar se “kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të qarkullimit të produkteve ilegale në treg”.