Subjektet politike kanë publikuar tashmë listat e kandidatëve për deputetë, por shumica prej tyre kanë bërë pak freskime me emra të rinj.

Artan Muhaxhiri, njohës i rrethanave politike në vend, thotë se mungojnë ekspertët nga fusha të ndryshme në listat zgjedhore.

“Politika kosovare ka nevojë jetike për më shumë ekspertizë e profesionalizëm. Mirëpo, partitë tona nuk kanë krijuar kushte për prurjet e tyre, sepse mënyra se si funksionojnë ato i pengon ekspertët e vërtetë që të bëhen pjesë e tyre. Prandaj edhe prurjet e pakta për këto zgjedhje janë të pritshme, pasi liderët nuk kanë qenë aq të gatshëm të marrin ekspertë, ndonëse nevoja është jashtëzakonisht e madhe”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Njohësja tjetër e rrethanave politike, Besa Luzha, thotë se mund të mos kenë munguar ofertat për personalitete të ndryshme, por në këtë klimë të polarizuar njerëzit hezitojnë të përfshihen.

“Pjesa e hezitimit mund të lidhet me faktin se diskursi është polarizuar shumë, madje është helmuar. Shumë njerëz që unë njoh – përfshirë edhe vetën time – nuk e duan një ambient të tillë. Shumica janë të vetëdijshëm se edhe po të futesh në listë, kërkohet një angazhim i madh për të marrë vota (sidomos në këtë kohë të shkurtër), pa përmendur edhe koston financiare”, tha Luzha.

Ajo shton se megjithatë në çdo listë zgjedhore mund të gjenden kandidatë të dëshmuar, por nëse do të marrin votën e qytetarëve, kjo mbetet të shihet nga rezultatet që do të publikojë KQZ-ja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.