Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot në Kuvend 21 nxënësit e Brainobrain Kosova, të cilët përfaqësuan me sukses të jashtëzakonshëm vendin në garën ndërkombëtare “15th Brainobrain International Competition”, mbajtur në Dubai.
Nxënësit u shoqëruan nga drejtoresha e mësimit, Adella Gjini Rodiqi, koordinatorja Vlera Matoshi Shala, si dhe nga disa prindër.
Në këtë edicion të garës morën pjesë 1810 nxënës nga 16 shtete të ndryshme, ndërsa ekipi i Kosovës u rikthye me rezultate mbresëlënëse: 12 trofe të vendit të parë, 7 trofe të vendit të dytë dhe 2 trofe të vendit të tretë.
Gjatë takimit, kryetari Basha u uroi mirëseardhje fëmijëve dhe i përgëzoi për suksesin e arritur, duke i inkurajuar të vazhdojnë rrugën e dijes dhe të përkushtimit.
“Talenti juaj, i kombinuar me përgatitjen profesionale nga instruktorët e licencuar të Brainobrain Kosova, dëshmon se rezultatet e jashtëzakonshme arrihen kur punës e përkushtimit i bashkohet metoda cilësore”, tha Basha.
Ai theksoi se fëmijët janë pasuria më e madhe e vendit dhe se investimi në edukimin dhe zhvillimin e tyre duhet të jetë gjithmonë prioritet.
Nxënësit, të moshave 6–14 vjeç dhe që vijnë nga shkolla të ndryshme të Kosovës, garuan në sfida që testojnë aftësi të avancuara kognitive, përfshirë aritmetikën mendore me abakus, zgjidhjen e ushtrimeve matematikore me shpejtësi, përqendrimin, memorizimin, mendimin logjik dhe kreativitetin.




