Gjatë fjalimit të tij pas betimit Rama u zotua se do t’i ushtrojë detyrat me ndershmëri, besnikëri, paanshmëri dhe në pajtim me ligjin.

“Prishtina foli dhe ky besim për mua është vazhdim i përgjegjësisë dhe motivit. Është zotim për të vazhduar punën me përkushtim të palëkundur. Ju faleminderit që na keni besuar drejtimin e qytetit tonë. Faleminderit që besuat në vazhdimin e vizionit transformues për Prishtinën. Po hyjmë në këtë mandat me vendosmërinë për t’i përfunduar projektet kapitale, për t’i vazhduar investimet në arsim e shëndetësi, në zhvillim rural dhe në të gjithë sektorët që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Do të vazhdojmë të përkrahim idetë inovative, të mbështesim krijimtarinë e rinisë dhe energjinë e tyre për të ardhmen, duke respektuar restauruar dhe integruar trashëgiminë tonë kolektive, me vizionin modern, të cilat kryeqytetit po i sjellin çmime me renome ndërkombëtare”, tha ai.

Ai tha se shpreson që katër vitet e ardhshme do të jenë të karakterizuara nga bashkëpunimi dhe jo nga bllokadat politike.

“Mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu siç kanë merituar qytetarët. Ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht, vonesa e pengesa, dhe prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët. Uroj me zemër që në këtë mandat të reflektojmë dhe mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike, secili prej nesh jemi të votuar me i shërbyer qytetarëve, e jo partive politike. Prandaj, e kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë. Të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetit, por të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë. Ne jemi këtu, në shërbim të qytetarëve. Na sfidoni, na kritikoni, kërkoni më shumë prej nesh, kështu bëhemi më të mirë. Kritika e sinqertë është motori i zhvillimit”, theksoi Rama.

Punimet vazhduan me propozimet për kryesues të Kuvendit. I vetmi i propozuar ishte Fehmi Kupina nga ‘Lidhja për Prishtinën’. LDK e PDK nuk patën propozime, derisa LVV u propozua asamblisti i  LDK-së, Sokol Havolli, por ky i fundit nuk e pranoi propozimin. Kuvendi shkoi në pauzë për t’u përgatitur për procesin e votimit të fshehtë për kryesues.