Shefja e Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, znj. Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, znj. Donika Kadaj-Bujupi, pritën gjatë javës në takim z. Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor i Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.
Gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme.
Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta.
U potencua gjithashtu angazhimi i Presidentes Osmani për forcimin e koordinimit të përhershëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e procesit të rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë, si dhe nevoja për krijim sa më të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve.
“Në takim u rikonfirmua përkushtimin për të çuar përpara projektet strategjike, nxitjen e investimeve amerikane në sektorët me potencial të lartë dhe avancimin e objektivit të përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike”, njofton Presidenca e Kosovës.




