Një incident ndaj një zyrtari policor është raportuar të mërkurën mbrëma në lagjen “Enver Hadri” të Prizrenit. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00 është arrestuar një person mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka penguar dhe kanosur një polic gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Rasti ka ndodhur në momentin kur polici ishte duke shqiptuar një tiketë për kundërvajtje ndaj vëllait të të dyshuarit. Në atë kohë, i dyshuari ka ndërhyrë duke e penguar zyrtarin dhe duke e kanosur atë.
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar më tej në pajtim me procedurat ligjore.




