Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur fushatën zgjedhore në Skënderaj. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua se do t`i përmbushë premtimet për zhvillim ekonomik, rritje pagash, arsim më cilësor, shëndetësi moderne dhe rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë. Ai u zotua për investime të reja në Drenicë dhe për përfundimin e projekteve të mbetura.
Para elektoratit të PDK-së në Skenderaj, Bedri Hamza kërkoi përkrahjen e banorëve të qytetit. Ai tha se së shpejti presin kthimin e çlirimtarëve që ndodhen në Hagë dhe premtoi përkrahje për kategoritë e dala nga lufta.
“Për të gjitha familjet e dëshmorëve, 50 përqind për çdo dëshmor sa ka një familje. Ju siguroj trajtim shëndetësor, 50 përqind rritje për veteranët e luftës dhe njohje të drejtës pa cenuar të drejtën në punë. Përshkallëzim i pensioneve sipas kontributit, dhe rritje 50% të pagave për mësues, arsimtarë, mjekë, policë, zjarrfikës e të gjithë të tjerët”, tha Hamza.
Ndër premtimet, Hamza veçoi edhe sistemin e drejtësisë, përkrahjen për studentë me 30 milion euro bursa, çerdhe të reja dhe përkrahjen për personat me sëmundje kronike me furnizim të barnave pa pagesë.
“Drejtësi për të gjithë, më shumë gjyqtarë e prokurorë për shkurtim të afateve në Kosovë. Synim për anëtarësim në NATO dhe Këshillin e Evropës, si dhe njohje nga 5 vendet e BE-së”, theksoi ai.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua për investime të reja në Drenicë dhe për përfundimin e projekteve të mbetura. Në Skenderaj u prezantuan edhe kandidatët për deputet nga kjo komunë.




