Gjatë fjalimit të tij, Ipeshkvi Gjergji theksoi rëndësinë e paqes, dashurisë dhe mirëkuptimit në shoqëri:

“Festa e Krishtlindjes është festë e jona. Krishti, mbreti i paqes, është për të gjithë. Çdo shoqëri në këtë botë ka nevojë më së shumti sot për paqe, dashuri, mirëkuptim dhe gëzim në zemër. Le të jetë Krishti drita që shkëlqen në zemrën e secilit”, tha ai.

Presidentja Osmani u shpreh për rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit, duke iu referuar shembullit të Shën Nënë Terezës.

“Sipas shembullit të Shën Terezës, le të kujdesemi jo vetëm sonte, por gjatë gjithë vitit që vjen për ata që presin ndihmën tonë dhe kanë nevojë për ngrohtësi njerëzore”, tha ajo.

Gjithashtu, Osmani ndau detaje nga vizita e saj në Vatikan, ku u takua me Papa Leonin e 14-të.

“Kam pasur nderin të pritem ditë më parë në audiencë private nga Papa Leoni i 14-të. Gjatë këtij takimi përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimet e misionit të tij dhe ftesën e përzemërt për një vizitë në Kosovë”, theksoi ajo.

Presidentja theksoi rolin e Kosovës si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare.

“Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë tonë historike, duke udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë: paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti”, theksoi Osmani.

Osmani përfundoi duke nënvizuar mesazhin e Krishtlindjes për shpresë dhe bashkim.

“Përtej dritave që vezullojnë dhe simbolizojnë shpresën, reflektojmë mbi bujarinë, solidaritetin dhe bashkimin tonë si komb dhe shoqëri. Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa”, theksoi presidentja.