Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se fitorja e sotme e partisë së tij është më e madhja në historinë e vendit.
“Më 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, më 28 dhjetor 2025 filloi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit!”, tha Kurti në konferencë për media.
Kurti tha se është i interesuar për bashkëpunim me opozitën në pikat e pamiratuara në Kuvendin e Kosovës.
“Në Kuvendin e legjislaturës së dhjetë po na pret Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro, prej të cilave 2/3 janë kredi, ndërkaq 1/3 grante dhe 3 marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro. Pra, mbi 1 miliardë euro gjithsej. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.
I pyetur rreth çështjes së presidentit të ri, që duhet të zgjidhet në prill të vitit të ardhshëm, Kurti tha se “është tepër herët të flasim tani për këtë çështje”, teksa tha se tani është koha për festë.



