“Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore”, tha ai.

Edhe Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren, ka njoftuar se sot, rreth orës 10:25, me autoambulancën e Urgjencës së qytetit, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren është sjellë një fëmijë pa shenja jete, nga një shtëpi që ishte kapluar nga flaka.

“Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e fëmijës, i lindur në vitin 2024. Nga i njëjti rast, në repartin e pediatrisë janë sjellë edhe tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, si pasojë e intoksikimit nga tymi. Gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në repartin e pediatrisë’, njofton Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” Prizren.