Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se bllokimet në konstituimin e institucioneve të reja tashmë janë inekzistente, pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku subjekti i tij politik, Vetëvendosje, doli i pari me mbi 49 përqind të votave, kur kanë mbetur të numërohen edhe votat e diasporës në përfaqësitë diplomatike, votat me postë dhe ato me kusht.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Postën e Kosovës, Kurti u shpreh se rezultati zgjedhor është më i qartë se asnjëherë më parë dhe se pritshmëritë e tij janë tejkaluar.
“Rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit sivjet, por duket që po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe pengesat në formimin e qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.
I pyetur për çështjen e zgjedhjes së presidentit në muajin mars, Kurti tha se fillimisht duhet të pritet certifikimi i rezultateve dhe konsituimi i legjislaturës së dhjetë.
“Duhet të presim certifikimin e rezultatit, pastaj konstituimin e Kuvendit dhe të shohim përbërjen e legjislaturës së dhjetë. Vetëm pas formimit të qeverisë mund të flasim për zgjedhjen e presidentes apo presidentit të ri. Sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë njëherë bashkë për rrugën përpara”, shtoi Kurti.




