Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe nderuar një njeri fjala e të cilit la gjurmë të thella në kulturën dhe ndërgjegjen tonë shoqërore e kombëtare. Largimi nga jeta i Rushit Ramabajës na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar”.

Ai shtoi se Ramabaja “i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët dhe u provuan e u sprovuan gjatë”.

Tutje shtoi se ai ishte një qëndrimtar besnik i fjalës, që shkroi edhe kur ajo ishte e vështirë.

“Sot, në këtë ceremoni mortore, kur Rushit Ramabaja po ndahet fizikisht nga ne, nuk e kujtojmë vetëm për atë që ishte, por për atë që na la pas. Na la libra, kujtime dhe një trashëgimi që do të vazhdojë të flasë për të. Na la shembullin se si fjala mund të jetë njëkohësisht akt moral dhe kulturor”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, Avni Dehari e vlerësoi Rushit Ramabajën si një personalitet shumëdimensional të letrave shqipe në rrafshin gjithkombëtar.

“Shkuarja e tij në amshim nuk është vetëm humbje për ne si familje, as vetëm dhimbje personale e imja, ajo është plagë e hapur për kulturën shqiptare, plagë që do të mbetet e tillë për një kohë të gjatë”, tha Sadri Ramabaja.

Ndërkaq, profesori Agim Vinca tha se Rushit Ramabajën e kishte shok, mik, bashkëpunëtor dhe bashkëmendimtar për pjesën dërrmuese të gjërave, duke shtuar se e kishte pasur edhe student, gjë që pak kush e dinte.

“Rushiti ishte dashnor i madh i së vërtetës, i së drejtës dhe i dashurisë për atdheun. Nuk ishte patetik, ishte kritik, dhe kjo shihet qartë në krijimtarinë e tij letrare”, pohoi Vinca.

Arben Veselaj tha se “sot fjalët janë të varfra përballë peshës së humbjes dhe dhembjes për të”.

“Me largimin e tij nga bota jonë po shuhet një mendje e urtë dhe një ndërgjegje kritike. Letërsia shqipe do ta kujtojë përgjithmonë Rushit Ramabajën si njërin nga autorët e veçantë, një shkrimtar të formuar në gjirin e kulturës kombëtare shqiptare”, tha ai.

Rushit Ramabaja ka ndërruar jetë dje në moshën 77-vjeçare. Ai ishte një nga figurat e shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar.

Ramabaja ishte gazetar kulture në gazetën Rilindja, shkrimtar, romansier e poet, si dhe i burgosur politik dhe mbështetës i lëvizjeve çlirimtare. I njohur për fjalën e urtë dhe angazhimin intelektual, ai la pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe shpirtërore.

Ikja e tij paraqet një humbje të madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për gjithë kulturën dhe mendimin shqiptar. Me veprën, fjalën dhe qëndrimin e tij, Rushit Ramabaja la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit.

Ai ishte model i intelektualit të angazhuar, shembull i dinjitetit njerëzor dhe udhërrëfyes shpirtëror, duke mishëruar përgjegjësinë e fjalës së shkruar, guximin në mendim dhe dashurinë e përhershme për atdheun.