Rinumërimi i votave ka sjellë ndryshime të rëndësishme, disa kandidatë të partive kryesore kanë përfituar ose humbur qindra e mijëra vota. Prizreni shfaq ndryshimet më të mëdha, duke ngritur shqetësime për keqnumërim.
Pas rinumërimit të votave në disa komuna, ka pasur ndryshime të dukshme te kandidatët, por jo te partitë. Mospërputhjet më të mëdha janë regjistruar te tre partitë kryesore, sidomos në Prizren. Rinumërimi i 98.30% të kutive ka zbuluar se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët. Tek LDK-ja dhe Vetëvendosje, dallimet janë rreth 4,500 dhe 3,100 vota, respektivisht.
Kandidati më i përfituar nga këto ndryshime është Fetah Paçarizi i PDK-së, i cili ka humbur mbi 6 mijë vota nga rezultati fillestar – më shumë se 40% e votave të tij ishin të tejkaluara gjatë numërimit. Përfitime të tjera nga PDK-ja në Prizren kanë pasur edhe Nait Hasani, Kujtim Gashi, Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Arianit Çollaku. Nga LDK-ja, përfitues kryesor kanë qenë Xhavit Uka, Driton Selmanaj dhe Anton Quni, ndërsa te Vetëvendosje Arbër Rexhaj ka përfituar më së shumti vota të tepërta.
Kurse, ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetar i KDTP-së, Fikrim Damka, ka humbur mandatin e tij. Votat e tij janë ulur me 88, dhe vendin e tij e ka zënë Ergyl Mazrek, kandidati i katërt në listën e KDTP-së, i cili tani ka 90 vota më shumë se Damka.
Procesi i rinumërimit 100% ka përfunduar tashmë në Leposaviq, Kaçanik dhe Dragash, ku ndryshimet kanë qenë më modeste. Ndërkohë, në komunat ku është rinumëruar vetëm 10% e vendvotimeve, si Podujeva, kandidatët e Vetëvendosjes kanë përfituar më shumë vota të tepërta, ndërsa disa kandidatë të PDK-së dhe LDK-së kanë humbur vota.
Rinumërimi pritet të përfundojë së shpejti në të gjitha komunat, ndërsa rezultatet e plota mund të ndryshojnë përfundimisht përbërjen e Kuvendit dhe peshën e kandidatëve lokalë.



