Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar 26-vjetorin e themelimit me një konferencë tematike, ku morën pjesë ish-punonjës të ATK-së, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, biznese dhe organizata joqeveritare.
Konferenca u hap me fjalë rasti nga zëvendësministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, dhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni. Dobruna theksoi se Qeveria e Kosovës e konsideron ATK-në një shtyllë të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe drejtësisë fiskale, duke vlerësuar progresin e madh të arritur, sidomos në digjitalizimin e shërbimeve tatimore. Sipas tij, këto reforma kanë rritur efikasitetin, transparencën dhe përvojën e tatimpaguesve.
Drejtori i Përgjithshëm Mentor Hyseni rikujtoi se ATK-ja është themeluar në vitin 2000, si një nga institucionet e para pas luftës, me misionin për ndërtimin e një sistemi tatimor transparent dhe të qëndrueshëm. Ai theksoi se zhvillimi 26-vjeçar i ATK-së është rezultat i përkushtimit të stafit dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, njofton zyra për informim e ATK-së.
Hyseni prezantoi gjithashtu Planin Strategjik dhe vizionin ATK 2030, duke theksuar një qasje më partneriteti ndaj bizneseve dhe tatimpaguesve, me fokus në edukim, komunikim dhe rritje të përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore. Digjitalizimi, inovacioni teknologjik dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore u cilësuan si shtylla kryesore të reformave të ardhshme.
Në kuadër të konferencës u mbajtën tri panele diskutimi, të cilat u fokusuan në konsolidimin institucional të ATK-së, bashkëpunimin me bizneset dhe rolin e digjitalizimit në rritjen e transparencës dhe besimit të tatimpaguesve.




