Ky manifestim po organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Ecja u organizua nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Gjilani”, Komuna e Gjilanit dhe Klubi Alpin “Dardanët” nga Komuna e Kamenicës, me mbështetjen e klubeve të tjera bjeshkatare dhe alpine nga trojet shqiptare.

Pjesëmarrës të shumtë iu bashkuan kësaj ecjeje nderuese dhe përkujtuese, e cila kishte për qëllim ruajtjen e kujtimit dhe vlerësimin e sakrificës së heronjve, si dhe edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e trashëgimisë dhe kulturës kombëtare.

Aktiviteti u mbajt në kujtim të heronjve të kombit Kadri Zeka, vëllezërve Gërvalla, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit. Nga organizatorët, kjo ecje u vlerësua edhe si “ecja prej nga buron liria”.

Ecja nisi me një fotografim të përbashkët pranë shtatores së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Gjilan, për të vazhduar më pas drejt Kamenicës. Pjesëmarrësit u nisën drejt Kapisë në Sfirce, prej nga filloi marshimi deri te kulla e Nuhi Berishës. Pas kthimit në Kapi, ecja vazhdoi drejt kullës së Rexhep Malës në Hogosht dhe më pas drejt kullës së Kadri Zekës në Poliçkë, duke përmbyllur shtegun e paraparë.

Organizatorët theksuan se ky aktivitet përbën një nderim të denjë ndaj sakrificës së heronjve dhe një dëshmi se “Flaka e Janarit” vazhdon të flakërojë vit pas viti.

Aktivitetet e radhës të këtij manifestimi do të mbahen më 24 janar, me tryezën letrare “Pena e Flakës” në ora 12:00, ndërsa në mbrëmje nis Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.