Të martën, ushtria amerikane sekuestroi një tjetër tanker pranë brigjeve të Venezuelës. Sagitta, që transportonte naftë venezueliane, është tankeri i shtatë i sekuestruar nga Roja Bregdetare e SHBA-së që nga fillimi i dhjetorit, si pjesë e një operacioni për të bllokuar tankerët që operojnë në shkelje të sanksioneve.
Në një deklaratë, Komanda Jugore e SHBA-së tha se “kapja e një cisterne tjetër që shkeli karantinën e Presidentit Trump për anijet e sanksionuara tregon angazhimin tonë për të siguruar që eksporti i naftës nga Venezuela të jetë i koordinuar dhe i ligjshëm”.
Sipas Associated Press, cisterna Sagitta valëvit flamurin liberian dhe është në pronësi të një kompanie të Hong Kongut. Ajo ishte subjekt i sanksioneve të SHBA-së të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Transponderi i cisternës, i cili transmeton vendndodhjen e saj, ishte i fikur. U aktivizua për herë të fundit dy muaj më parë, kur anija po largohej nga Deti Baltik.
Administrata e Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se synon të përdorë të ardhurat nga shitja e naftës së konfiskuar për të rindërtuar infrastrukturën e naftës së Venezuelës. Të martën, presidenti amerikan njoftoi se SHBA-të kishin marrë tashmë 50 milionë fuçi naftë venezueliane, e cila po shitet në tregjet globale dhe “po kontribuon në një rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës”.




