Marrëveshja u arrit pas takimeve pothuajse maratonike që ndërmjetësi evropian, Peter Srensen, zhvilloi ndaraz me dy kryenegociatorët.

“Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Besnik Bislimi në fund të takimit.

Pas takimeve të ndara, u mbajt edhe një takim i përbashkët mes palës kosovare, palës serbe dhe përfaqësuesve evropianë, i cili zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes së arritur.

Për modalitetet e këtij komisioni, kryenegociatorët kishin rënë dakord në dhjetor të vitit 2024, ndërsa puna duhej të niste në janar të vitit 2025. Takimi i parë, ndonëse ishte thirrur, nuk u realizua pasi pala serbe refuzoi pjesëmarrjen.

Ky ishte takimi i parë në nivel kryenegociatorësh gjatë këtij viti. Ai u zhvillua pas vizitës që Sorensen realizoi javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd.

Bashkimi Evropian po punon intensivisht për të ringjallur procesin e dialogut, duke planifikuar që gjatë këtij viti të mbahet, mundësisht, edhe një takim në nivel liderësh.

Për BE-në, një takim në nivelin më të lartë politik mbetet i mundur sapo të formohen institucionet e reja në Kosovë.

(19.24) – Nis takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

Para pak çastesh ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialog.

Ketij i paraprinë takimet e gjata dhe të ndara që Sorensen i zhvilloi me Besnik Bislimin dhe më pas me Petar Petkoviqin.

Tema e raundit të sotëm është jetësimi i komisionit për të pagjeturit.

Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy here ndërsa takimet nuk kanë prodhuar asnjë rezultat.