Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes.
Osmani në një postim në Facebook, bënë të ditur se me ftesë të Presidentit Trump, sot gjendet ne Davos, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.
“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar dhjetëra udhëheqës botërorë që t’i bashkohen nismës së tij Bordi i Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale, por diplomatët thonë se ajo mund të dëmtojë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë ai e bëri të qartë se mandati i bordit do të zgjerohej përtej Gazës, për të trajtuar edhe konflikte të tjera në mbarë botën.
Presidenti amerikan do të jetë kryetari i parë i bordit dhe, sipas një kopjeje të draft-kartës të parë nga Reuters, bordi do të ketë për detyrë promovimin e paqes në botë dhe punën për zgjidhjen e konflikteve.
Sipas kartës, shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve kur paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm.
Mes tyre janë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarë të NATO-s, Turqia dhe Hungaria – udhëheqësit nacionalistë të të cilave kanë kultivuar lidhje të mira personale me Trump-in – kanë rënë gjithashtu dakord të marrin pjesë, ashtu si edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguaji dhe Vietnami.



