“Me këtë energji dhe përkushtim, pranvera premton futboll të fortë, rivalitet të bukur dhe ndeshje që do të mbeten në kujtesën e tifozëve. Futbolli ynë po rritet dhe po përgatitet për sfida të mëdha”, ka thënë Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi ka vizituar klubet kosovare që ndodhen në fazën përgatitore në Turqi. Në këtë vizitë, ai ka takuar Dritën, Gjilanin, Prishtinën dhe Llapin.
Ademi ka theksuar se këto takime nuk kanë qenë vetëm formale, por të frytshme dhe të veçanta, duke shtuar se në secilin klub ndjehej pasioni dhe përkushtimi për futbollin.
“Edhe sot vazhdova me vizita tek klubet që ndodhen për fazën përgatitore në Turqi, ku qëndrova në ambientet ku janë të grumbulluara FC Drita, SC Gjilani, FC Prishtina dhe KF Llapi”, është shprehur Ademi.
Ai ka theksuar se skuadrat janë të përqendruara maksimalisht dhe po punojnë me përkushtim, disiplinë dhe besim, pasi kjo fazë është e rëndësishme për sezonin pranveror.
“Tek secila skuadër u vërejt dëshira për përmirësim, uniteti i grupit dhe etja për sukses”, ka thënë Ademi.
Sipas tij, trajnerët, stafi dhe lojtarët po japin maksimumin, duke qenë të vetëdijshëm se puna e sotme është themeli i rezultateve të nesërme.
“Grumbullimet e tilla nuk janë vetëm për forcë fizike dhe taktikë, por edhe për ndërtimin e karakterit dhe shpirtit garues”, ka thënë Ademi, duke shtuar se emocioni, pasioni dhe dashuria për fanellën ndiheshin në çdo hap.




