Janë bërë më shumë se gjashtë muaj që kur bizneset e mëdha kanë dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Një pjesë e tyre janë ankuar se faturat e rrymës që nga ajo kohë u kanë ardhur më të shtrenjta. Sipas njohësve të ekonomisë, në këtë situatë janë dëmtuar qytetarët, pasi bizneset kanë nxjerrë fitimin e tyre duke ngritur çmimet. Sipas njohësve të energjetikës, liberalizimi i tregut energjetik ka qenë i nevojshëm për Kosovën.
Dalja në tregun e lirë energjetik në qershor të vitit të kaluar shkaktoi reagime të shumta të bizneseve të mëdha në vend, të cilat kundërshtuan këtë vendim të ZRRE-së.
Megjithatë, gjashtë muaj më pas, këto biznese thuhet se vazhdojnë të operojnë, duke treguar qëndrueshmëri ndaj ndryshimeve të bëra në këtë sektor.
Kushtrim Ajvazi, ekspert financiar në një nga kompanitë në vend, tha se dalja në tregun e lirë energjetik ua ka rritur kostot e operimit. Me rritjen e shpenzimeve, janë rritur edhe çmimet.
Sipas njohësit të energjetikës, Adhurim Haxhimusës, liberalizimi i tregut të energjisë ka qenë i domosdoshëm.
“Liberalizimi i tregut për ndërmarrjet e mëdha ka qenë i domosdoshëm për shkak të obligimeve për liberalizimin e tregut dhe përafrimin me praktikat evropiane. Problemi qëndron në kohën kur ka ndodhur ky liberalizim dhe mungesën e përgatitjes së ndërmarrjeve për t’i hedhur në tregun e liberalizuar”, tha ai.
Nga qershori i vitit të kaluar, bizneset me mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor kanë kaluar në tregun e hapur energjetik, me ç’rast u është dashur që vetë t’i zgjedhin operatorët që do t’i furnizonin me energji elektrike.




