Avdullah Hoti ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të LDK-së në Kuvendin e partisë që do të mbahet më 31 janar 2026.
Hoti ka theksuar se synon ringritjen politike dhe organizative të LDK-së përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe të bazuar në meritë, duke e kthyer partinë në alternativën kryesore qeverisëse në Kosovë.
“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoti në facebook.
Ai ka thënë se në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, është zotuar se me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.
“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon; dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës”, tha Hoti.



