Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim për 23 të dyshuar në rastin e manipulimit të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Vendimi vjen pas aksionit të gjerë të Prokurorisë dhe Policisë, ku u arrestuan mbi 100 persona dhe dyshohet se janë prekur deri në 60 mijë vota. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon rinumërimin e plotë të votave dhe pritet që gjatë javës së ardhshme të shpallen rezultatet përfundimtare.
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, i ka caktuar nga një muaj paraburgim 23 të dyshuarve në rastin e manipulimit me vota për kandidatë për deputetë.
Pas zhvillimit të katër seancave ndaras, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykatë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penalekundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, 21 të pandehurve, i?u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.
Ndërkohë, ndaj një të pandehuri me iniciale A.V. i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 si dhe ndaj një të pandehurit tjetër me iniciale G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) po ashtu i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji.
Argument i këtyre fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren Ky vendim për shqiptimin e kësaj mase erdhi pas aksionit të gjerë të Prokurorisë dhe Policisë, operacion ky që çoi në pranga mbi 100 persona për manipulim të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit ku dyshohet se keqpërdorimet kanë prekur deri në 60 mijë vota.
Manipulimi me vota bëri që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marr vendim për rinumrin e tërësishëm të procesit.
Aktualisht nga rinumërimi i tërësishëm i vendvotimeve janë numëruar 1700 vendvotime nga 2557 sa janë gjithsej.
Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, ka deklaruar se janë duke u përpjekur maksimalisht që gjatë javës së ardhshme të arrijnë të përmbyllin rinumrin e të gjitha vendvotimeve, e më pastaj të shpallen rezultatet përfundimtare.
“Pas përfundimit të këtij rinumërim KQZ do të shpallë rezultate përfundimtare të zgjedhjeve ashtu siç parashihet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët mund ti parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe eventualisht procesi mund të vazhdojnë deri në Gjykatën Supreme, natyrisht se procesi i rinumrimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë edhe nevojën e ankesave megjithatë KQZ duhet të pres për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit zgjedhor”, ka thënë Elezi.
76 ekipe me 250 numërues janë çdo ditë të angazhuar deri në orën 24:00 për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.



