Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë Hiroyasu Tanigaki dhe atasheun Kolonel Tomofumi Iwasaki.
Gjatë takimit, Jashari i njoftoi zyrtarët japonez për situatën e sigurisë në rajonin tonë dhe për zhvillimin e Forcës së Sigurisë Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutuara për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Japonisë. Gjeneral Jashari vlerësoi lart marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe falënderoi shtetin japonez për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, veçanërisht përmes programeve të trajnimit dhe shkollimit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në përmbyllje, të dyja palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke konfirmuar përkushtimin për forcimin e partneritetit dhe sigurisë.




