Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat komerciale në Kosovë ka arritur në 2.684 miliardë euro gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 3.8% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP.
Sipas GAP-it, kjo rritje reflekton zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën në rritje për financim nga bizneset dhe qytetarët, edhe pse huamarrja po bëhet më e shtrenjtë. Norma efektive e interesit për kreditë e reja ka shënuar rritje, nga 6.1% në vitin 2024 në 6.4% në vitin 2025.
Të dhënat tregojnë se sektori bankar në Kosovë ka pasur një trend të qëndrueshëm rritës të kreditimit gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2015, vlera e kredive të reja ishte rreth 1.1 miliardë euro, ndërsa deri në vitin 2025 është më shumë se dyfishuar, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit bankar dhe kërkesën në rritje për financim.
Normat e interesit, pas një trendi zbritës që vazhdoi deri në vitin 2022, ku arritën në nivelin më të ulët rreth 6%, kanë filluar të rriten gradualisht gjatë viteve 2023–2025, në përputhje me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare financiare.
Të dhënat e GAP bazohen në statistikat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës dhe përfshijnë periudhën 2015–2025.




