Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, u ka caktuar masën e paraburgimin prej një muaji tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës D.G., A.G. dhe B.S., të cilët të martën u arrestuan nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve D.G., A.G. dhe B.S., ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.




