Pas vdekjes së nxënësit në lumin Sitnicë në Gadime, Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes, ndërsa familja dhe shkolla “Zenel Hajdini” janë në zi pas ngjarjes së rëndë.
Një nxënës i shkollës fillore mbrëmë humbi jetën në lumin Sitnicë, që kalon përmes fshatit Gadime të Lipjanit. Ai ishte gjetur i gjallë nga një bashkëfshatar, por në gjendje të rëndë, dhe më pas kishte ndërruar jetë. Policia e Kosovës po e heton këtë rast.
Lumin e kishte aq afër shtëpisë sa mund ta prekte çdo ditë, por askush nuk kishte menduar se ai do t’ia rrezikonte jetën. Atë ditë, ai zgjodhi një rrugë jo të zakonshme për të shkuar nga shkolla deri në shtëpi. Rruga pranë lumit dhe rrëshqitja në të bënë që ai të përfundonte në këtë ujë të shpejt.
Sipas familjarëve, dyshohet se 10-vjeçari ka rënë në lum në afërsi të shtëpisë, ndërsa rrjedha e lumit e ka bartur deri poshtë. Për të ndjerin, familja tashmë ka hapur dyert për të parë trupin e tij.
Për ditën tragjike foli kushëriri i Zejnit, i cili tha se sipas pamjeve të kamerave të rrugës nuk dyshojnë se dikush e ka shtyrë atë.
“Zejna gjithmonë ka frekuentuar udhën e zakonshme, mirëpo dje e ka refuzuar edhe shoqen edhe kushëririn që të hipin në veturë dhe ka vendosur të vijë nga rruga pranë lumit. Dyshojmë se aty ka rrëshqitur dhe lumi e ka bartur deri në Gadimen e Ultë, ku në atë moment e kanë gjetur, pasi e kam postuar në Facebook”, tha Driton Shabiu, kushëri i Zejnit.
Personi që e gjeti trupin e Zejnit në lum tha se rrezikoi edhe jetën e tij për të ndihmuar të miturin.
“Kom bërtit: ‘Fëmija u hup që 3 orë e gjysmë!’ Thash unë e pash duke u mbytur. Në atë moment më ndihmuan edhe shokët e mi, unë shkova rreth 5 metra para tij dhe e kapja djalin për ta nxjerrë. Bashkë me ta ia dolëm të shpëtojmë të miturin”, tha Petrit Danqi nga Gadime.
Për Zejnin, sot në zi ishte edhe shkolla “Zenel Hajdini”, ku ai vijonte mësimet në klasën e katërt. Nxënësi u përshkrua si shembullor dhe i urtë.
“Nxënësi ka vijuar mësimin tërë ditën si zakonisht, në mbrëmje u nis për në shtëpi, por dje zgjodhi një rrugë që është mbi xhami. Ai zakonisht kalonte atë rrugë, por dje nuk e bëri dhe ndodhi ajo që nuk e prisnim as ne, as familja dhe askush”, deklaroi Skender Ademi, drejtor i shkollës “Zenel Hajdini”,në Gadime.
“Rast i rëndë, tragjik për ne dhe i dhimbshëm për komunitetin, sidomos për familjen. Zoti ua dhashtë durimin familjes”, u shpreh Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan.
Hetime për rastin ka hapur edhe Policia e Kosovës. Sipas njoftimit të saj, ekipet kanë dalë menjëherë në teren dhe trupin e pajetë e kanë dërguar për obduksion. Nga Emergjenca e QKUK-së thanë se pacienti ka arritur pa shenja jete dhe përkundër reanimimit kardiopulmonar, mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë.




