Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.

“Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.

“Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.

Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve.