Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot ka mbajtur tri seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj pesë të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit nga kjo gjykatë, gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim si në vijim: “Katër të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S:, H:P., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.
Ndaj një të pandehuri, N.B., është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, nga neni 414 par. 3, nën par. 3.2, (mos kryerja me dashje e ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj) të KP-së.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjykata ka bërë të ditur se këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar me datë 24 janar 2026, kur ndaj njëzetetre të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit.




