Policia e Kosovës ka arrestuar një të ri pas të shtënave me armë zjarri pranë një shkolle në fshatin Gjonaj të Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 29 janar 2026, rreth orës 12:15, është raportuar se pranë një shkolle janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.
Patrulla policore ka reaguar menjëherë dhe ka identifikuar automjetin e dyshuar, duke i dhënë sinjal për t’u ndalur.
Policia sqaron se i dyshuari nuk ka respektuar urdhrin e policisë dhe është larguar me shpejtësi.
Pas bastisjes së shtëpisë së tij ku nuk ka qenë i pranishëm, Policia ka ndjekur të dyshuarin i cili edhe është ndaluar.
“Pasi që i dyshuari ka ikur policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk ka qenë aty. Në përfundim, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma një pistoletë me pesë fishekë, të cilën e kishte hedhur në tokë është gjetur dhe sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se i dyshuari H.B. 21 vjeçar është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë
Ndaj tij janë iniciuar hetime dhe do të ngrihet kallëzim penal për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.




