Një burrë është arrestuar në Istog, nën dyshimin për dhunimin e një të miture. Lajmin për RTKLive e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, personi është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit nën dyshimin se ka kryer veprën penale të dhunimit.
Nikçi tha se Prokurori brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Ai ka njoftuar se Policia e Kosovës ka kapur të dyshuarin në flagrancë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë prokurorja e shtetit, mbrojtësi i viktimës dhe institucionet e tjera relevante.
“Është ndaluar një person me urdhër të Prokurorit të Shtetit nën dyshimin se ka kryer veprën penale dhunimi. Prokurori i Shteti brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Policia e Kosovës e ka kapur në flagrancë. Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dal edhe Prokurorja e shtetit, mbrojtësi i viktimave dhe institucionet tjera relevante”, tha Nikqi.
Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh. “Eshtë arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur (Dhunim) ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.




