Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur deklaratave të ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, i cili ka kritikuar drejtimin aktual të LDK-së dhe ka vlerësuar se Abdixhiku do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme, e jo të kërkonte votëbesim.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka folur për, siç e ka quajtur ai, një “mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë”, duke theksuar se ka një mllef e zell për ta sulmuarë atë, LDK-në, familjen Rugova dhe figurave tjera të kësaj partie.
“Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin. Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht”, ka theksuar Abdixhiku, i cili këtë e ka vlerësuar si “papjekuri”.
Ai tutje ka thënë se shpesh e pyet veten se si do të dukej LDK-ja sot “sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë”.
Ai ka shtuar se Kuvendi i fundit i LDK-së nuk ishte vetëm një proces demokratik, por një ndarje e qartë mes një kohe që, sipas tij, kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe të re që synon rimëkëmbje dhe përgjegjësi.
“Prej asaj dite, kjo shtëpi ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë. Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat”, ka theksuar ai.
Abdixhiku ka thënë se nuk mund të ketë bashkim të LDK-së me logjikën e prapaskenave, me intriga dhe me mospranim të vullnetit të anëtarësisë.
“Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara. LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje. Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi”, ka nënvizuar kryetari i LDK-së.
Në intervistën për Kosovapress, Isa Mustafa ka deklaruar se Abdixhiku e kishte keqmenaxhuar procesin brenda partisë dhe se votëbesimi nuk ishte zgjidhje. Mustafa ka kritikuar gjithashtu deklaratat e Ukë Rugovës, i cili e kishte cilësuar presidenten Vjosa Osmani si “rugoviste”.




