Pas dorëzimit në kuvendet komunale të listave të nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë se a do të shkohet në zgjedhje në ato komuna. Ndërsa, njohësit e procesit zgjedhor thonë se procedurat mund të shkojnë deri në katër muaj për të pasur kryetarët e rinj pas zgjedhjeve të parakohshme atje. E të tjerë theksojnë se kërkesa për largimin e kryetarëve ishte nacionaliste.
Sipas procedurave dhe afateve ligjore, procesi për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri, përmes referendumit do të marrë rreth dy muaj kohë. Ndërsa, rezultati i votimit më pas i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se i gjithë procesi mund të shkojë deri në katër muaj.
Ai tha për Radio Kosovën se kryesuesit e kuvendeve komunale në katër komunat në veri, brenda tre ditësh e dërgojnë kërkesën për largimin e kryetarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që më pas KQZ të verifikojë listat e nënshkrimeve.
Nëse KQZ konstaton se është përmbushur pragu prej 20 për qind të listës së votuesve në komunat përkatëse, atëherë i hap rrugë procesit të votimit, që njihet si mini-referendum për largimin e kryetarëve.
“KQZ pas njoftimit të kryesuesit të kuvendit komunal, kryetarit të komunës përkatëse dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, atëherë shpallen procedurat e votimit, të cilat mbahen brenda një afati prej 30 deri në 45 ditë, që si proces i votimit është më i ndryshëm se sa zgjedhjet e zakonshme, meqenëse kërkohet një prag më i madh i daljes në zgjedhje. Pra, nevojitet që të dalin minimumi 50 për qind plus 1 e votuesve. Për largimin e kryetarëve, duhet të votojnë përmbi gjysma e votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse. Nëse votohet në këtë nivel, atëherë konsiderohet se kryetari i komunës është shkarkuar nga detyra dhe presidentja e vendit i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave. Nëse nuk arrihet ky prag, konsiderohet se iniciativa ka dështuar dhe e njëjta nuk mund të parashtrohet në bazë të udhëzimit administrativ, të paktën për një periudhë prej 12 muajsh nga dita kur konstatohet se ka dështuar referendumi në fjalë”, ka thënë Cakolli.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, tha për Radio Kosovën se kërkesa për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore ishte nacionaliste që erdhi nga Lista Serbe, dhe nuk ishte legjitime e qytetarëve të rëndomtë të pakicës serbe.
“Nga gjykimi im, lidhur me rëndësinë e këtij procesi do të duhen disa muaj që një gjë e tillë të rrumbullakohet formalisht dhe proceduralisht, në mënyrë që t’u kërkohet katër kryetarëve të lirojnë detyrën para kohe, përkundër faktit që kryetarët e dalë nga zgjedhjet e prillit 2023, si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët janë vlerësuar si proces zgjedhor i rregullt, demokratik, pa ndërhyrje dhe legjitim me aq sa ka pasur numër në dalje të votuesve. Por, kërkesa mbi largimin e tyre është thjesht nacionaliste dhe fatkeqësisht ndërkombëtarët e kanë pranuar si të tillë dhe i kanë kërkuar me trysni Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që të ndërmarrë veprime për të iniciuar këtë peticion përmes një udhëzimi administrativ, në mënyrë që të largohen nga detyra kryetarët e komunave në veri”, ka thënë Pula
Kryetarët shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe u zgjodhën në zgjedhjet e 19 prillit të vitit 2023, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet.