Rusia duhet të sqarojë vendndodhjen e liderit të opozitës të burgosur Vladimir Kara-Murza, kërkon Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.
Shtetasi ruso-britanik Vladimir Kara-Murza, një kritik i Kremlinit, u dënua me 25 vjet burg në prill 2023 dhe u dërgua për të vuajtur dënimin e tij në një koloni penale në Omsk, qyteti më i madh në Siberi.
Shqetësimet tani po rriten në Britani për fatin e tij dhe po i kërkojnë Rusisë që “urgjentisht” të informojë avokatët e Kara-Murza për vendndodhjen e tij.
Ai dyshohet se u transferua nga Omsk dhe në Rusi nuk është e pazakontë që një i burgosur të transferohet për javë të tëra pa ditur asgjë.
Kërkimeve në koloninë penale në Omsk, ku ai ishte burgosur, iu përgjigjën se ai nuk ishte më atje.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zotin Kara-Murza – një shtetas britanik i burgosur në Rusi për shkak se ka folur kundër pushtimit të Ukrainës”, ka postuar Cameron në rrjetin social X.
Yevgenia, gruaja e Kara-Murza, tha se ajo mësoi të hënën se ai ishte marrë nga qelia në koloninë penale ku ai ishte që nga shtatori 2023 “në një drejtim të panjohur”.
“Nuk ka asnjë bazë për transferimin e tij dhe kjo e bën gjithçka edhe më të tmerrshme, sepse burri im është në duart e të njëjtëve njerëz që u përpoqën ta vrisnin dy herë – në 2015 dhe 2017”, tha ajo.
Ajo po i referohej dy tentativave të supozuara për atentat kur ai gati vdiq nga helmimi.
“Kërkoj që qeveria ruse të na japë informacion për vendndodhjen e burrit tim”, tha ajo.
Sekretari i Jashtëm britanik shtoi se ai e mbështet Yevgenia në përpjekjet e saj për të zbuluar se ku është burri i saj.
Në prill 2023, Kara-Murza u dënua me 25 vjet burg për “përhapje informacioni të rremë” në lidhje me ushtrinë ruse dhe për lidhje me një “organizatë të padëshiruar”.
Ish-gazetari dhe politikani (42) mohoi të gjitha akuzat.
Për vite me radhë, ai kundërshtoi publikisht politikat e presidentit Vladimir Putin dhe ishte veçanërisht kritik ndaj luftës në Ukrainë.
Ai luajti një rol kyç në bindjen e qeverive perëndimore për të sanksionuar zyrtarët rusë për abuzime të të drejtave të njeriut dhe korrupsion.
“E di që do të vijë dita që do të kalojë errësira që ka përfshirë vendin tonë”, tha ai pak para se të dënohej.
Londra dënoi vendimin Kara-Murza.
Britanikët thirrën ambasadorin rus dhe thanë se do të shqyrtonin hapat për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për ndalimin dhe “keqtrajtimin” e tij.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha për rastin Kara-Murza në atë kohë se ai ishte “një tjetër objektiv i fushatës së përshkallëzuar të represionit të qeverisë ruse”.
Kara-Murza, i cili vjen nga një familje e njohur disidente sovjetike, mori nënshtetësinë britanike kur u transferua në Britaninë e Madhe me nënën e tij si adoleshent.
Kur lideri i opozitës ruse Alexei Navalny , i cili gjithashtu u dënua me një burg të gjatë me akuza të shumta në ato që kritikët i përshkruajnë si gjyqe të motivuara politikisht, u transferua në një koloni penale në dhjetor, ai nuk pati kontakt me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij për gati tre javë. /Kosovatimes/