Shkruan: Naza KRASNIQI
Pushteti e opozita si rrallëherë në këtë legjislaturë u bënë bashkë për Ligjin për zgjedhjet përgjithshme. Në seancën e kuvendit të datës 08.06.2023, e miratuan në lexim të parë ndërsa, por të njëjtën ditë u miratua edhe lexim i dytë, duke iu shmangur afateve procedurale me një unitet të të gjitha partive politike.
Siç duket partitë politike, kur është interesi i partisë, bashkohen të gjitha në një vendim, si ishte rasti që ta kalojnë ligji për zgjedhjet e përgjithshme, si duket njëri prej shumë paragrafëve, që i bashkoi ishte edhe Nënparagrafi 2.1 i Paragrafit 2 të Nenit 30 të Ligjit numër 08/ L- 228 për zgjedhjet e përgjithshme.
Për të qenë më e qartë dhe e kuptueshme për të gjithë qytetaret, se çfarë do me thënë Nënparagrafi 2.1 do i citoj dy nëparagrafët edhe të ligjit të ri edhe ligjit të vjetër të shfuqizuar si ne vijim:
Ligji i ri nr. 08/L-228 i miratuar, Nënparagrai 2.1 i Paragrafit 2 të Nenit 30 po citoj:
2.1 është dënuar në (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv;
Ligji i vjetër i shfuqizuar me nr. 03/L-073 po citoj:
- q) i shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në ( 3) vitet e fundit:
I citova këto dy nënpargrafe të ligjit të paraprak dhe aktual për ta sqaruar se me ligjin e ri mundet të certifikohet në listë për deputet çdo i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose me shumë vite burgim me kusht dhe, gjithashtu do thotë të gjithë ata që janë të dënuar me dënim efektiv me pak se një vit mund të certifikohen.
Ndërsa Nënparagrafi i ligjit të vjetër i shfuqizuar nuk ka lejuar të certifikohet askush, që ka qenë i dënuar në tri vitet e fundit, pavarësisht me dënim efektiv apo dënim me kusht, pa cekur minimumin e dhe maksimumin dënimit.
Ligji i vjetër i shfuqizuar ka eliminuar nga gara shumë kandidat në dekadën e fundit.
Po e them hipotetikisht, nëse një kandidat në listë ka qenë i dënuar me burgim me kusht 1.8 muaj për korrupsion, ai person automatikisht lejohet për të kandiduar, pa asnjë pengesë, që do ishte një goditje për duart e pastra në listën e partive politike si alternativë për qytetarët.
Ky nënparagraf është njëri prej disa paragrafëve, që ka qenë një kompromis mes pozitës dhe opozitës për ligjin e zgjedhjeve të përgjithshme, e që fatkeqësisht, pa debat dhe pa pompozitet është miratuar brenda ditës në dy lexime dhe ka hy në fuqi për zgjedhjet, që do mbahen më së largu deri në shkurt të vitit 2025.
Me vendime gjyqësore, dënime me kusht “ duar të pastra” do jenë lista e partive politike në zgjedhje përgjithshme…!