Irani do të “humbte shumë” në luftë direkte me ShBA-në dhe Izraelin
Prej se Izraeli e nisi luftën në Rripin e Gazës, grupet militante të mbështetura nga Irani, i kanë sulmuar caqet izraelite dhe amerikane nëpër Lindje të Mesme si shenjë përkrahjeje për palestinezët.
Megjithëse ka rrahur gjoks në rajon prej se nisi lufta në tetor, Irani i ka ikur çfarëdo veprimi të drejtpërdrejtë ushtarak kundër Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, ShBA-së.
Ekspertët thonë se Republika Islamike e sheh luftën e drejtpërdrejtë kundër armiqve të përbetuar si kërcënim ndaj stabilitetit të brishtë brenda vendit dhe ndaj mbijetesës së vet.
Irani do të “humbte shumë në një luftë afatshkurtër”, tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
“Ajo ngre të gjitha pyetjet për të ardhmen e Republikës Islamike”, shtoi ai.
Çështje mbijetese
Mundësia e një ballafaqimi të drejtpërdrejt SHBA-Iran u rrit pasi milicitë e mbështetura nga Teherani në Irak i vranë tre ushtarë amerikanë në një sulm me dron në Jordani më 29 janar.
Por, Teherani ka folur me një tonë pajtues prej kur ndodhi ai sulm, i vetëdijshëm për sulme të mundshme amerikane në territorin iranian.
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha më 2 shkurt se vendi i tij “nuk do të nisë asnjë luftë”, por do të përgjigjet fuqishëm nëse “dikush dëshiron të na ngacmojë”.
Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me bazë në Izrael (INSS), tha se mbijetesa e regjimit është “synimi kryesor” i Qeverisë klerikale dhe se një luftë e mundshme me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara do të ishte kërcënim për qenien e Republikës Islamike.
Qeveria iraniane është përballur me shumë kriza të brendshme në vitet e fundit, përfshirë rritjen e trazirave civile dhe një ekonomi të dobët.
Vdekja e Mahsa Aminit në shtator 2022 në paraburgim të së ashtuquajturës “Policia e Moralit” për gjoja shkeljen e ligjit të rreptë të Iranit për bartjen e shamisë së kokës, nxiti protesta gjithëkombëtare disamujore, të cilat u bënë sfida më e madhe e Qeverisë teokratike të Iranit në dekadat e fundit.
Autoritetet i shtypën protestat, duke i vrarë qindra dhe duke i arrestuar mijëra protestues.
Qeveria klerikale vazhdimisht pretendon se ligjshmëria e saj buron nga vullneti i popullit. Por, ky pretendim është vënë në pikëpyetje vazhdimisht së fundmi.
Në zgjedhjet parlamentare më 2020 dhe në ato presidenciale më 2021 u shënua rekord për dalje të ulët në zgjedhje, pasi më pak se gjysma e njerëzve me të drejt vote votuan në to.
Autoritetet iraniane janë duke u përballur po ashtu edhe me një ekonomi të përkeqësuar, e cila është ndikuar nga sanksionet ndërkombëtare dhe keqmenaxhimet qeveritare, duke bërë që të ketë inflacion të lartë, rritje të papunësisë dhe të varfërisë.
“Vendimet e politikës së jashtme nuk preken drejtpërdrejt nga opinioni publik. Megjithatë, nevoja e regjimit për të parandaluar rrëmuja të brendshme të panevojshme në Iran, padyshim se ndikon te zgjedhjet e saj”, tha Zimmt.
Shkathtësia ushtarake
Për vite të tëra, zyrtarët ushtarakë iranianë janë mburrur për arsenalin e dronëve dhe raketave të vendit. Por, ekspertët thonë se Iranit i mungojnë shkathtësitë ushtarake për t’i sfiduar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
“Irani është shumë i vetëdijshëm se Izraeli e ka një përparësi të qartë operacionale dhe inteligjente ndaj tij në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak, në sulm dhe në mbrojtje”, tha Zimmt.
Përveç se ka ushtrisë superiore, Izraeli ka edhe armë bërthamore parandaluese, tha John Krzyzaniak, hulumtues për Kontrollin e Armëve Bërthamore në Wisconsin.
Besohet se Izraeli zotëron armë bërthamore dhe Iniciativa Kërcënimi Bërthamor me bazë në Uashington vlerëson se Izraeli i ka rreth 90 koka bërthamore.
Duke qenë nën sanksione për shumë dekada, Irani ka investuar shumë në zhvillimin e programeve të armëve brenda vendit, duke prodhuar dronë dhe raketa të lira dhe efektive.
Zyrtarët iranianë janë mburrur se disa prej armëve të tyre janë ndërtuar posaçërisht për ta goditur Izraelin. Për shembull, zyrtarët kanë pretenduar se raketa balistike Fattah mund të arrijë në Tel Aviv brenda 400 sekondave.
Por, Vatanka tha se kjo është vetëm “luftë psikologjike kundër izraelitëve” dhe se ka për qëllim “shtrirjen e imazhit të Republikës Islamike si mbrojtësi i vetëm apo promotori i vetëm i kauzës palestineze”.
Krzyzaniak tha se raketat e Iranit mund të përbëjnë “kërcënim serioz” ndaj Izraelit, ndërsa sulmet me dronë, si ata Shahed-136, mund të shkaktojnë “shkatërrim masiv ndaj popullsisë civile” nëse lëshohen në tufë.
Por, sipas tij, Izraeli është më superior ushtarakisht prapëseprapë.
Prandaj, tha Krzyzaniak, Irani do të vazhdojë të mbështetet në luftën jotradicionale dhe kapacitetet e veta asimetrike.
Duke e përdorur të ashtuquajturin “bosht i rezistencës”, rrjeti i largët i grupeve militante dhe përfaqësuesve të Iranit, të cilat e ndihmojnë atë t’i kundërshtojë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, Teherani e “zvogëlon mundësinë për viktima iraniane dhe për dëmtimin e aseteve të rëndësishme” brenda vendit, sipas Zimmt.
Kjo ia mundëson Iranit ta “luftojë Izraelin përmes partnerëve të vet rajonalë në shumë fronte, megjithëse në një fushëveprim të kufizuar”, shtoi ai.
Ekspertët thonë se ngurrimi i Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e të paktën 10 anëtarëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) nga sulmet e dyshuara izraelite në Siri dhe Liban prej fillimit të dhjetorit, e forcon edhe më shumë argumentin se Teherani dëshiron ta shmangë luftën.
Muajin e kaluar, Irani kreu sulme raketore në caqe në Siri, Irak dhe Pakistan, të cilat u cilësuan si një paralajmërim për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Por, Zimmt tha se Irani e ka shmangur përshkallëzimin e tensioneve i cili do të kishte çuar drejt luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
“Tani për tani, shqetësimet e Iranit për konfrontim të drejtpërdrejt me Izraelin duket se e mposhtin dëshirën e tij për hakmarrje”, përfundoi ai.
Leave a comment