Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Ahmet Ismaili tha se Rregullorja e BQK-së për para të gatshme, e cila ka ngjallur në disa reagime, është miratuar me qëllim të sigurimit të integritetit dhe përmirësimit të sistemit financiar të Kosovës.
Guvernatori thotë se BQK-ja i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë (BKS) ku konfirmon gatishmërinë e tyre për të gjetur zgjidhje në interesin më të mirë të qytetarëve.
“Nuk ka nevojë që politika të merret me Bankën Qendrore as në Kosovë e as në Serbi, ne kemi institucionet tona. Unë pata rastin të informoj personalisht guvernatorin e Bankës Qendrore të Serbisë në një bisedë shumë të mirë në Frankfurt ku ishim bashkë në një takim vitin e kaluar në Bankën Qendrore Evropiane (ECB). Nuk shoh ndonjë dallim mes nesh sa i përket aspektit profesional dhe nuk shoh ndonjë pengesë pse ata të mos bashkëpunojnë në interes të qytetarëve tanë. Nëse politikanët qëndrojnë jashtë atij domeni, dhe ndoshta janë mësuar të ndërhyjnë, por nëse qëndrojnë jashtë, jam i sigurt se do të arrinim të zgjidhim çdo çështje që është në interes të vendit tonë. Kanë mjaft temat e tyre, por nëse do të mbetet në dorën e politikanëve të vendosin për sistemin financiar të një vendi, tashmë mund të them se ky sistem nuk do të ketë perspektivë. Jo se politikanët janë njerëz të këqij, por nuk janë bërë për atë qëllim, ata kanë punën e tyre, ne kemi tonën”, thotë Ismaili për emisionin ‘Slobodno Srpski’.
Ai tha se nuk është ndaluar dinari, por si mjet pagese është vetëm euro. Rregullorja e BQK-së në vetvete nuk ka ndaluar drejtpërdrejt asnjë valutë, madje as dinarin, i cili, sipas tij, ka status të njëjtë me valutat e tjera jo euro.
“Nëse do të ndalonim dinarin, do të duhej të ndalonim edhe paundin, frangun dhe dollarin. Në fakt, ato nuk janë të ndaluara, thjesht përcaktohet se vetëm një monedhë e vetme shërben si mjet pagese, si instrument pagese dhe ajo është euro. Të gjitha monedhat e tjera, përfshirë dinarin, lejohen të jenë në pronësi. Pra, çdo serb nga Kosova nuk e shkel ligjin kur ka dinarë në xhep, është zgjedhje e tij, ai ka të drejtë të shkojë t’i konvertojë në një institucion të licencuar, ose euro në dinarë ose dinarë në euro, ai ka të drejtën për të pasur llogari bankare të kursimit, nëse banka e ofron në dinarë”, thotë Ismaili dhe pohon se Rregullorja në asnjë nen të saj nuk e ndalon marrjen e mjeteve nga Serbia.