Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku kanë vazhduar për të tretën herë raportimin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, njoftoi, se mbledhja e radhës do të caktohet kurdo që materialet do të përkthehen dhe nëse do të ketë materiale të tjera.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi që Komisioni për Administratë të mblidhet në një ditë të vetme dhe ta kryejë këtë dëgjim mbikëqyrës dhe të ecet më tutje.
S’ka kush t’i trajtojë ankesat në KPM, Bordi i Ankesave jofunksional
Deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, ka thënë se Komisioni i Ankesave në Komisionin e Pavarur të Mediave është jofunksional pasi ka dështuar konkursi i fundit.
Ai ka thënë se në konkursin e fundit kanë aplikuar katër kandidatë, ndërsa një është tërhequr.
“I njëjti Bord nuk është funksional. Në konkursin e fundit kanë aplikuar vetëm katër persona. Dy kanë pasur të zgjedhën, një është tërhequr, kanë mbetur tre, shkon në rishpallje”, ka thënë Ramadani.
Një ditë më herët PTK-ja ka dërguar një ankesë në KPM, mirëpo e njëjta nuk do të shqyrtohet pasi s’ka Bord të Ankesave.
Anëtarja e KPM-së thotë se çështja e “ArtMotion” do të duhej të dërgohej në Prokurori
Anëtarja e Bordit të KPM-së, Luljeta Aliu, ka thënë se ka pasur shkelje brenda Komisionit të Pavarur të Mediave.
“Ka pasur shkelje, parregullsi, edhe mungesë transparence brenda për brenda komisionit tonë”, ka thënë Aliu.
Ajo ka thënë se ka kërkuar që çështja e “ArtMotion” dhe “DigitAlb” do të duhej dërgohej në Prokurori por se kështu nuk kishte vepruar KPM-ja.
“Kjo për mua përbën një provë e cila do të duhej të dërgohej në Prokurori për të parë nëse ka ekzistuar mashtrimi, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj KPM-së. “ArtMotion” na ka dhënë se i ka të drejtën e transmetimit deri në fund të dhjetorit, nga “DigitAlbi” është dhënë sqarimi se ata kanë mundur ta transmetojnë deri në fund të janarit”, ka deklaruar Aliu.
Fitim Veliu, anëtari tjetër i KPM-së, ka thënë se i ka dhenë përkrahje iniciativës së Aliut për të çuar në Prokurori këtë lëndë.
Deputeti i AAK-së kërkon të respektohet pavarësia e KPM-së
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ka disa brenga lidhur me pavarësie e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Ai ka thënë se në dy takimet e kaluara është bërë dëm me diskutimin për vendimin e KPM-së.
“Po bëhet një diskutim që po i behet dëm konceptit të institucioneve të pavarura”, ka thënë Tahiri.
Ai ka cituar Zyrën e BE-së që ka reaguar duke kërkuar të respektohet pavarësia e KPM-së.
“Ata shprehin brengë serioze në raport me ndikimin tonë te një institucion i pavarur. Këtu është ajo vija e kuqe qe ne nuk guxojmë me prek”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka propozuar t’i dërgohet një letër Zyrës së BE-së dhe t’i kërkohet ku është prekur pavarësia e KPM-së.
Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, ka thënë se s’po cenohet pavarësia e KPM-së.
Konsumatorët kanë të drejtë të shkëpusin kontratat me kabllorët që ndryshojnë kanalet
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi ka folur për shkeljen e kushteve të kontratave nga operatorët kabllorë.
Ai ka thënë se më 5 shkurt të këtij viti është miratuar Rregullorja e re që flet për shkëputjen e kontratave në rast se ndryshojnë kushtet e kontratës.
Rahimi ka thënë se konsumatorëve iu ka dhënë e drejta t’i shkëpusin kontratat me operatorët nëse ndryshojnë kushtet e kontratës nga kabllorët.
Ai ka thënë se është formuar një departament në ARKEP që do të merret me konsumatorë dhe me inspektime për të mbrojtur konsumatorët.
Edhe kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se në fillim të këtij viti kanë pranuar 340 ankesa se janë ndryshuar kanalet.
Ai ka thënë se konsumatori duhet të njoftojë 30 ditë më herët nëse ndryshojnë pakon operatorët.
“Nuk e kanë njoftuar KPM-në se nga data 1 janar do të ketë lëvizje të kanaleve… Krejt në fund kemi parë se qytetarëve nuk u është ofruar katalogu i kanaleve. Bazuar në këto tri shkelje, me ç’rast kemi marrë një vendim që këta katër operatorë të shpërndarjes t’i gjobisin me 100 mijë euro”, ka thënë ai.
Më 18 janar, Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë me 100 mijë euro. Kështu, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.
Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte pranuar ankesat nga qytetarët e pakënaqur me ndryshimin e paparalajmëruar të listës së kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes.
Kërkohet të përkthehen në gjuhën shqipe dokumentet që do të diskutohen në Komision
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është mbledhur sot për herë të tretë në raportimin e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka kërkuar që të përkthehen të gjitha materialet e dorëzuara tek deputetët.
Ai vazhdoi duke thënë se materialet nuk janë në gjuhën shqipe dhe se për këto dokumente nuk është i gatshëm të japë qëndrim.
Deputeti i LV-së, Salih Zyba tha se pse ka ardhur në këtë formë materiali.
Isak Shabani, deputet i PDK-së u pajtua që materiali të përkthehet. Ai kërkoi nga Kryetari i KPM-së se cilat janë arsyet që janë hijezuar materiale të ndryshme që janë dorëzuar nga KPM.
Jeton Mehmeti, kryetar i Bordit të KPM-së, në lidhje me materialet e dorëzuara, tha se janë të dhënat bazikë që janë dy kompani që kanë lidhë marrëveshje ndërmjet tyre.
“Ajo çka nuk e shofim as ne si KPM janë të dhënat komerciale të dy kompanive, që në bazë të njohurive që i kemi janë të mbrojtura me ligj”, ka thënë Mehmeti.
Në lidhje me kërkesën për t’u përkthyer materialet në gjuhën shqipe, Kryetari i Komisionit për Administratë, Valon Ramadani kërkoi që të procedohet me shqyrtim të çështjeve të materialeve që janë në gjuhën shqipe.
Ramadani, kërkoi nga administrata e Kuvendit që të angazhohet në përkthim të menjëhershëm aty për aty.
Deputeti Veliu tha se deputetët duhet t’i marrin materialet në gjuhën zyrtare dhe se materialet duhet t’i ka para se të nisë diskutimi. Ai tha se nëse nuk është në gjendje administrata të sigurojë materialet nuk do të jetë pjesë e kësaj mbledhje.
“Kjo mbledhje është e papërgatitur dhe në këtë formë nuk duhet të marrë pjesë”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pa pasur përgjigje konkrete për këtë çështje, vetëm me fjalën e Valon Ramadanit se mbledhja të fillojë me shqyrtim të materialeve që janë në gjuhën shqipe e pas përkthimit të materialeve mund të vazhdohet me shqyrtim të mëtutjeshëm.
Në mungesë të përkthimit të materialeve, mbledhja vazhdoi me fjalën e Nazim Brahimi, Kryetar i Bordit të ARKEP-it.
Nis vazhdimi i tretë i raportimit të anëtarëve të KPM-së
Anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave sapo kanë vazhduar për herë të tretë raportimin para deputetëve lidhur me pezullimin e vendimit për t’i lejuar transmetimi i kanaleve të “Arena-s”.
Të pranishëm në këtë komision janë shumica e deputetë të pozitës dhe opozitës.
Pjesë e diskutimit është pika për dënimin e katër kabllorëve që kishin bërë shkelje, ku Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte dënuar me 100 mijë euro.
Vazhdon edhe sot raportimi i anëtarëve të KPM-së lidhur me vendimin për kanalet e “Arena-s”
Prej orës dhjetë është planifikuar të vazhdojë për herën e tretë raportimi i anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave para deputetëve në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal
Sipas rendit të ditës, anëtarët e KPM-së do të vazhdojnë raportimin lidhur me vendimin 6 shkurtit ku ishte vendosur që t’i hiqet pezullimi kanaleve “Arena”, në të cilat ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovës dhe që glorifikonin terroristët e vrarë në Banjskë.
Raportimi i parë ka ndodhur më 9 shkurt derisa vazhdimi i raportimit ka ndodhur edhe më 16 shkurt, ku kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se kanalet “Arena” janë kthyer në transmetim pasi kanë marrë garanci se përmbajtjet që ishin transmetuar para pezullimit nuk do të përsëriten.
Deputetët e Vetëvendosjes kanë kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të KPM-së, kanë paralajmëruar komision hetimor parlamentar dhe kanë akuzuar anëtarët e KPM-së se janë shitur dhe kanë cenuar sigurinë nacionale me vendimin për kanalet e “Arena-s”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, Flutura Kusarin, Lëvizjen FOL, Institutin e Kosovës për Drejtësi, Çohu, INPO, Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Institutin e Prishtinës për Studime Politike– PIPS dhe Institutin Musine Kokalari, e kanë quajtur ndërhyrje politike në punën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), mbledhjen urgjente të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.