Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, ka theksuar se e ardhmja e tij te klubi është e lidhur me punën që ai bën në karrigen e trajnerit dhe jo me spekulime të jashtme.
Ai ka folur kështu në kontekst të raportimeve që e lidhin pozitën e tij me trajnerin gjerman, Julian Nagelsmann.
“Magpies” ndeshet të shtunën me Wolverhampton Wanderers në kuadër të Premier League. Në tabelën e kryesuar nga Liverpool, Newcastle gjendet në vendin e dhjetë, ndërsa Wolves në vendin e nëntë.
“Vërtetë, kjo nuk më prek mua. Unë jam këtu, jam ulur në karrige dhe e ardhmja ime do të përcaktohet nga ajo që bëj, askush tjetër. Unë nuk mund të kontrolloj atë që njerëzit shkruajnë e çfarë spekulimesh ka dhe nuk përpiqem të përfshihem”, ka thënë ai.