Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi statistikat e Bilancit të Pagesave (BP).
Bilanci i pagesave deri në fund të dhjetor 2023 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 741.6 milionë euro, i cili tregon një përmirësim prej 19.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (917.1 milionë euro ishte deficiti deri në dhjetor 2022). Në zvogëlimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar pozitivisht llogaria e shërbimeve dhe të ardhurat dytësore.
Bilanci tregtar në mallra deri në dhjetor 2023 kishte deficit në vlerë 4.6 miliardë euro, që është për 7.3% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 6.5% dhe shënoi vlerën 870.7 milionë euro (931.5 milionë euro ishte deri në dhjetor 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje prej 4.8% duke arritur vlerën 5,469.0 milionë euro (5,218.7 milionë euro ishte deri në dhjetor 2022).
Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në dhjetor 2023 shënoi vlerën 1,631.6 milionë euro, e cila është për 18.8% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Të ardhurat parësore deri në dhjetor 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 165.5 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerën 115.5 milionë euro, duke përfaqësuar rritje të theksuar prej rreth 43.3% krahasuar me një vit më parë.
Të ardhurat dytësore mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në dhjetor 2023 kjo llogari shënoi rritje prej 9.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, duke arritur vlerën 2,059.5 milion euro (1,881.6 milionë euro ishte deri në dhjetor 2022).
Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në dhjetor 2023 shënoi 1,343.4 milionë euro, që paraqet rritje prej 120.5 milionë euro ose 10% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Asetet në llogarinë financiare deri në dhjetor 2023 ishin 761.2 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar vlerën prej 1,188.0 milionë euro për të njëjtën periudhë.
Investimet direkte në Kosovë deri në fund të dhjetorit 2023 ishin 816.0 milionë euro (732.0 milionë euro deri në fund të dhjetorit 2022), përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 193.2 milionë euro (175.2 milionë euro deri në dhjetor 2022).
Investimet në letra me vlerë jashtë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në dhjetor 2023 janë rritur për 439.6 milionë euro.
“Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në fund të dhjetorit 2023 ishin 372.0 milionë euro (454.3 milionë euro ishte deri në dhjetor 2022), ndërsa investimet tjera jashtë Kosovës deri në fund të dhjetorit 2023 ishin 172.4 milion euro (146.4 milion euro ishte deri në dhjetor 2022). Si rezultat i ndryshimit në këtë pozicion, bilanci i investimeve të tjera deri në fund të dhjetorit 2023 shënoi një vlerë negative prej 426.8 milionë euro. Asetet rezervë deri në dhjetor 2023 janë zvogëluar për 44.0 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 67.6 milionë euro”, njofton BQK.