Higjiena në shkollat e kryeqytetit vazhdon të mbetet në nivel të ulët, sidomos në tualete ku brenda ditës mijëra fëmijë i frekuentojnë ato. Nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se nga shtatori i këtij viti pritet të rritet numri i stafit dhe pajisjeve higjienike.
Shumë prindër janë të shqetësuar më higjienën e ulët e cila po vazhdon të jetë në ambientet e shkollave në kryeqytet.
Disa nga ta janë intervistuar nga Radio Kosova, të cilët thanë se si pasojë e papastërtisë, fëmijët e tyre mundohen që gjatë qëndrimit në shkollë të mos i frekuentojnë tualetet. Kjo, sipas prindërve, rrit edhe mundësinë e marrjes së infeksioneve të ndryshme.
“Fëmijët po ankohen shumë për tualetet. Vajza nuk shkon hiq, vetëm në ndonjë rast për t’i pastruar duart. Po të pjesa e tualeteve ka shumë papastërti. Mendoj se kjo gjendje është në të gjitha shkollat. Në tualete ka shumë nevojë të rritet higjiena e duke e pasur parasysh numrin e madh të nxënësve, ka nevojë të rritet stafi pasi tani janë vetëm katër persona që kujdesen për mirëmbajtje. Në mungesë të higjienës ka rrezik të shpërndahen viruset te fëmijët”, thonë prindërit.
Se papastërtia është në nivel të lartë sidomos në tualete e thonë edhe drejtues të shkollave.
Drejtoresha e shkollës ”Ismail Qemaili”, në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, i tha Radio Kosovës se higjiena në ambientet e shkollës nuk është në nivelin e duhur, e kjo si pasojë e numrit të vogël të punëtorëve teknikë, pasi shkolla aktualisht ka 2 mijë e 880 nxënës.
“Shkolla i ka 41 klasa, 3 kabinete dhe dy klasa parafillore e që është e mbingarkuar me numër të klasave dhe nxënëseve për numrin e punëtorëve që i ka. Për këtë arsye gjendja për sa i përket higjienës nuk është në nivelin e duhur. Arsyeja pse po them numri i punëtorëve është i vogël është së për shkak që në mes ndërrim, kur nxënësit e ndërrimit të parë përfundojnë mësimin, është një hapësirë kohore shumë e vogël që klasat të dezinfektohen e të jenë gati për ndërrimin e dytë”, tha ajo.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinë, Jehona Lushaku, i tha Radio Kosovës se komuna e ka hapur një tender, përmes të cilit pritet të përmirësohet gjendja në shkollat publike.
“Komuna ka hap një tender i cili e rrit numrin e stafit teknik që merret me pastrimin e objekteve shkollore . Posaçërisht i kemi deleguar në shkollat që kanë numër më të madh të nxënësve dhe shtesë e kemi rritur edhe numrin e pajisjeve që do të dërgohen në këto shkolla. Këto janë të gjitha masat që kemi marrë e të cilat do të hynë në fuqi nga muaji shtator”, tha ajo.
Në lidhje me këtë çështje, Radio Kosova ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit. Por, edhe përkundër përpjekjeve nuk ka arritur të marrë përgjigje sa cilat janë raportet që kanë marrë nga komunat rreth higjienës në shkolla.
Vite me parë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka dalë me një raport se mirëmbajtja e higjienës në shkolla mbetet sfidë.