Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë. Shumica e deputetëve që kanë marrë fjalën, e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës.
Në fund, pritet edhe votimi i raportit.
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.
Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.
“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, tha Bakoyannis.
Ajo tha se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë.
“Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.
Bakoyannis po ashtu tha se ka kërkuar nga Kosova të sigurojë që shpronësimet e pronave të pakicës serbe të kryhen në respektimin më të rreptë të ligjit dhe se, ne rast pranimit të Kosovës, shpronësimit të paligjshëm të tokës do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT) i bëri thirrje Asamblesë për votë pozitive për Kosovën.
“Ne promovojmë tolerancë, dialog… Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave për të gjitha pakicat kombëtare. Pakicat kombëtare kanë përfaqësi në trupa të rëndësishme vendimmarrëse, duke përfshirë, Qeverinë, gjyqësorin dhe institucionet lokale”, tha Kervan.
Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, tha se i takon grupit që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përkundër qëndrimit të shtetit të Spanjës dhe e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka pyetje që duhet të zgjidhen. Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut. Ne do të mbështesnim këtë rrugë [të anëtarësimit]. Mirëpresim integrimin dhe mendojmë që kjo do të jetë edhe një mënyrë për të promovuar stabilitetin në atë zonë”, tha Ahedo.
Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas mbështeti anëtarësimin e Kosovës.
“Dua të uroj Kosovën. Kosova e meriton. Bota e lirë duhet të bashkohet”, tha ai deputeti Goncharenko, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Deputeti gjerman Frank Schwabe përgëzoi raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.
“Këshilli i Evropës, me vlerat tona dhe rregulla dhe kemi dinjitetin tonë. Ky anëtarësim nuk është një mjet për negocim. Ju kërkoj të mbështesni raportin e balancuar dhe t’i refuzoni amendamentet që e rrezikojnë këtë baraspeshë”, tha ai.
Alain Milon nga Franca tha se do të votojë pozitivisht por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet të bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, hapa për këtë mund të bëhen para votimit në maj.
Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua sot.
Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Çështja e dytë është Serbia. Mospërfillja e interesave të Serbisë është destabilizuese”, tha ai.
“Ne po mbrojmë të drejtat e individëve”
Ndërkohë, Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Lufta jonë nuk është për shtetet, por për të drejtat e individëve. Ne po mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve dhe etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për mbi 1.6 milion njerëz, plagët e të cilëve ende po shërohen dhe janë të obliguar të krijojnë një të ardhme të përbashkët. Kosova është gati dhe meriton të pranohet në Këshillin e Evropës, por duhet të sigurojë një mbrojtje të duhur për komunitetin serb”, tha Bulai si përfaqësues i grupit, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës.
Piero Fassino nga Italia tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit.
Duke folur për Asociacionin, ai shprehu shqetësimin që ky trup të mos duket si Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Disa delegatë nga Italia paraprakisht kanë propozuar që të shqyrtohet detyra e Kosovës për themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Ministrave të vendosë për pranimin eventual të saj.
Edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Biljana Pantiq Pilja nga Serbia kritikoi raportin e deputetes greke duke thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk mund të anashkalohet.
“Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar. Nëse lejoni të ashtuquajturën Kosovë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa themelimin e Asociacionit, atëherë Asociacioni nuk do të themelohet asnjëherë”, tha ajo.
Maja Vukiqeviq, deputete e Malit të Zi, po ashtu u deklarua kundër antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vukiqeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) proruse në parlamentin malazias.
Branislav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina u shpreh kundër anëtarësimit duke thënë se “duke vendosur në agjendë pranimin e të ashtuquajturës Kosovës po dëshmojmë kolapsimin e të drejtës ndërkombëtare, në zemër të Evropës”.
Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.
Një ditë para votimit në Strasburg ka pasur konsultime të shumta për të parë se si është disponimi. Ka pasur takime mes delegacioneve të partive politike, ndërsa delegacionet nga Serbia dhe nga Kosova kanë bërë përpjekjet e fundit për t’i bindur deputetët që në numër sa më të madh të votojnë në favor të tyre.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Para fillimit të seancës në Asamblenë Parlamentare të martën, Komisioni për Politikë dhe Demokraci me shumicë të madhe i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegatët e Serbisë, të cilat u mbështetën edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës.
Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.
Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave.
Zakonisht kur nuk kalojnë amendamentet në komisionin përkatës, atëherë për to më nuk debatohet dhe nuk votohet në seancë plenare të Këshillit të Evropës. Por, nëse propozuesit e tyre insistojnë që të votohet për to mund të kërkojnë një gjë të tillë nëse kanë mbështetjen e së paku 10 deputetëve të pranishëm. Prandaj, edhe pse janë refuzuar nga komisioni përkatës, përsëri ekziston mundësia që të kthehen për debat dhe për votim në Asamble.
Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Përshtypja e delegatëve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është se do të mund të sigurohen votat e favorshme për Kosovën në këtë seancë.
Por, ata kanë vërejtur se në momentin e fundit ka pasur lëvizja nga disa vende anëtare të cilat e njohin Kosovën si shtet, por nuk janë të sigurta në mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në këtë moment.
Do të jetë sfidë edhe të sigurohet prania e numrit të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Për këtë duhet të jenë të pranishëm së paku një e treta e anëtarëve të përgjithshëm të Asamblesë. Ndërsa, nevojitet dy e treta e votave të të pranishmëve që raporti për Kosovën të kalojë.
Përmendet edhe mundësia që një numër i caktuar i deputetëve të mos marrin pjesë fare në seancë.
Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Knaus: Asociacioni i dëshirueshëm, por jo kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës
Sa i përket raportit, për të cilin do të votohet të martën, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Një amendament i cili po konsiderohet si sfidues e kanë propozuar disa delegatë nga Italia. Ata kanë kërkuar që të shqyrtohet detyra e Kosovës për themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Ministrave të vendosë për pranimin eventual të Kosovës. Delegatët italianë kërkojnë që Kosovës t’i vendoset kusht zbatimi i të gjitha obligimeve nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve – të arritur vitin e kaluar – përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.
Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti.