Gjashtë liderёt e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë vendosur nënshkrimin e tyre në tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit.
Këto marrëveshje të dakorduara më herët përfshijnë lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimin profesional.
Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet posaçërisht, në atë mënyrë që të prodhojë rezultate. Kështu ka deklaruar kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë adresimit të tij para pjesëmarrësve në hapjen e samitit të “Procesit të Berlinit”.
Ai ka thënë se të gjithë duhet ‘të përforcojmë angazhimet tona për t’i përmbushur pritshmëritë që janë ngritur që para 20 vitesh në Selanik’.
“Premtimi për të ardhmen evropiane për ju dhe vendet tuaja është punë e jona për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë edhe sot. Jam shumë i lumtur që shoh që ky vizion ndahet nga të gjithë ju, pra nga liderët e Ballkanit Perëndimor, znj.Von der Leyen, shtetet anëtare dhe ish-kryesues të këtij samiti e udhëheqës të organizatave ndërkombëtare, rajonale e financiare”, ka shtuar Scholz.
Sipas tij, ‘Procesi i Berlinit’ nuk do të ketë për detyrë vetëm të çlirojë të gjithë potencialin e bashkëpunimit, por edhe të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Sot ju liderët e Ballkanit Perëndimor po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtimin tuaj, duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme që do t’i bëjnë jetët e njerëzve më të lehta. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në vendet tuaja. Marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj t’i kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd apo arkitektët nga Tirana të përdorin titujt e tyre për një vend pune në Shkup. Ju përgëzoj të gjithëve që keni marrë këta hapa të fuqishëm pas vitesh të tëra negociatash të vështira”, ka nënvizuar Scholz.
Ai ka thënë se këto marrëveshje i afrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane dhe me tregjet rajonale për të cilat ato janë përkushtuar në vitin 2020.
“Procesi i Berlinit vazhdon të japë rezultate dhe ky është mesazhi. Rrugë dhe hekurudha po ndërtohen për të ndërlidhur vendet tuaja. Shpenzimet e roamingut janë hequr, pra kontakti është thjeshtësuar dhe lehtësuar. Po ashtu më se 800 studentë kanë kaluar kufijtë për të bërë këmbime shkollore dhe për të bërë miq të rinj, duke i dhënë jetë pajtimit të përgjithshëm e duke nxitur të ardhmen pa kufij të brendshëm”, është shprehur tutje kancelari gjerman.
Ai tutje ka thënë se çështje tjetër ‘që është presion për të gjithë ne është siguria energjetike dhe tranzicioni drejt burimeve të ripërtritshme.
“Këto sfida kanë qenë pjesë e takimeve të ministrave të energjisë të Procesit të Berlinit dhe këtë diskutim do ta shtyjmë përpara edhe sot. Diskutimet tona do të përforcohen edhe me ministrat e jashtëm dhe të brendshëm, pasi bashkë me përpjekjet për pajtim sfidat për migrimin e parregullt nga korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje qenësore për të gjithë ne. Përkushtimi nga vendet e juaja për të përafruar politikat e brendshme me BE-në janë esenciale në këtë kontekst”, ka deklaruar Scholz.
Sipas kancelarit gjermanet zotimet që po bëhet sot karakterizohen nga një ndjenjë urgjence. Ai ka kërkuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor që t’i tejkalojnë konfliktet rajonale dhe të mbrojnë sigurinë e Evropës.
“Lufta brutale e Rusisë ndaj Ukrainës na detyron të bëhemi bashkë që ta ruajmë sigurinë dhe lirinë e Evropës. Është koha për të tejkaluar konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet posaçërisht ashtu që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania dhe Procesi i Berlinit do të vazhdojë t’i mbështesë. Vetëm së bashku mund të punojmë drejt një Bashkimi Evropian edhe më sovran . Vetëm së bashku mund të mbrojmë vlerat evropiane dhe sundimin e së drejtës dhe vetëm së bashku mund të tejkalojmë sfidat e stërmëdha që i dalin këtij kontinenti dhe gjithë botës”, ka përfunduar Scholz. /Kosovatimes/