Besnik Berisha, avokati i të dyshuarit si bashkëpunëtor i shërbimit serb të inteligjencës, Bedri Shabani, ka thënë se klienti i tij është dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Pas mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Berisha ka thënë se sipas klientit të tij ai është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë ,megjithatë nuk jep detaje se për cilin rast bëhet fjalë.
Ai tutje thekson se klienti i tij Bedri Shabani mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara për shkak të veprimtarisë së tij.
“Nuk i ikë e nuk i shmanget historisë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Dhe ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di se për cilin rast sepse janë disa rast dhe nuk e di që ka ndonjë cilësi tjetër përveçse është dëshmitar. Sipas tij është publik, statusi i tij ka refuzu që të ketë masa mbrojtëse apo masa për mbulimin e identitetit të tij”, ka deklaruar Berisha.