Shtatëdhjetë vjet më parë, energjia elektrike e prodhuar nga zbërthimi i atomeve u fut për herë të parë në rrjetin elektrik të një qyteti të vogël afër Moskës.
Termocentrali Bërthamor i Obninskut revolucionarizoi industrinë e energjisë, por i hapi udhën një fatkeqësie që do ta ndalte adoptimin më të gjerë të teknologjisë. /rel/

Brenda kësaj ndërtese jo të klasifikuar, rreth 100 kilometra larg Moskës, energjia elektrike e prodhuar nga zbërthimi i atomeve, u kanalizua në një rrjet energjie për herë të parë më 27 qershor 1954.

Bashkimi Sovjetik nën diktatorin Josef Stalin kishte derdhur burimet e tij shkencore për zhvillimin e armëve apokaliptike. Por, pasi bomba e parë bërthamore sovjetike u testua në gusht të vitit 1949, disa nga fizikanët më të mirë të BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), u ridrejtuan për të shfrytëzuar fuqinë monstruoze të ndarjes bërthamore për prodhimin e energjisë në të njëjtën kohë kur Perëndimi po ndiqte të njëjtin qëllim. Hulumtimi u quajt “atomet për paqen” nga Shtetet e Bashkuara dhe “atomi paqësor” nga Moska.

Bashkimi Sovjetik kishte shtyrë të shfrytëzonte ndarjen bërthamore për prodhimin e energjisë pjesërisht për shkak të shpërndarjes së vështirë të lëndëve djegëse fosile që po fuqizonin pjesën më të madhe të industrisë së tij.

Pjesa më e madhe e pasurisë së hidrokarbureve të Bashkimit Sovjetik shtrihej nën rajone të shkretuara të Siberisë, ndërsa popullsia e tij ishte e përqendruar kryesisht në rajonet perëndimore të vendit. Ishte një moment kur rreth 40 për qind e të gjithë transportit hekurudhor sovjetik merrej me transportin e qymyrit në termocentralet e tij.

Objekti i Obninskut përdori nxehtësinë nga ndarja bërthamore e uraniumit të pasuruar për të zier ujin në avull, i cili nga ana e tij rrotulloi një turbinë që prodhonte energji elektrike. Fuqia e reaktorit bërthamor duhej të kufizohej në prodhimin që mund të përballonte një turbinë ekzistuese.

Një dëshmitar i reaktorit eksperimental që u aktivizua në vitin 1954 e përshkroi atë që dukej si “një rrymë avulli që dilte nga valvula me një fërshëllimë të fortë. Reja e bardhë e avullit të zakonshëm, e cila ende nuk ishte mjaft e nxehtë për ta rrotulluar turbinën, na dukej një mrekulli. Në fund të fundit, ky ishte avulli i parë i prodhuar nga energjia atomike”.

Termocentrali mbeti në funksion pa incidente të mëdha derisa u çaktivizua në vitin 2002. Suksesi i objektit në shkallë të vogël ishte baza për projektimin e reaktorëve RMBK që do të qëndronin në zemër të disa centraleve bërthamore sovjetike, duke përfshirë një objekt pranë Kievit në Ukrainën Sovjetike i njohur si termocentrali bërthamor i Çernobilit.