Një kartolinë dhe një dhuratë për qindra fëmijë të zonave të thella e të varfra në Shqipëri. Në sytë e tyre ka habi që dikush është kujtuar për ta. Ka lot, pasi për herë të parë marrin një dhuratë. E, mbi të gjitha, ka shumë gëzim.
Këto përjetime nxitën Osman Stafën dhe Flavia Hitajn që, vullnetarisht, të vazhdojnë edhe sivjet nismën që mori jetë një vit më parë: “Po t’vjen një kartolinë”.
Ata identifikuan fshatrat, që njihen edhe si zona më të varfra në Shqipëri, kontaktuan me drejtorët e shkollave dhe përgatitën një listë me emra të fëmijëve, që duan t’u dërgojnë kartolinë dhe dhuratë për festat e fundvitit.
Kryesisht përmes rrjeteve sociale, ata ftojnë secilin që do, t’i bashkohet nismës dhe të kontribuojë me dhurata.
Osman Stafa, gazetar nga Shqipëria, thotë se për shkak të profesionit që ka, ka qenë shpesh në zonat e thella të vendit. Varfëria që ka parë, thotë se e ka nxitur ta ndërmarrë këtë nismë.
“Ka shumë varfëri dhe këtyre fëmijëve u duket e pabesueshme që dikush po kujtohet për ta. Edhe drejtorët e shkollave shpesh janë habitur, pasi askush më parë nuk ka qenë atje për të dhuruar, askush nuk është kujtuar për këto zona”, thotë Stafa për Radion Evropa e Lirë.
Niveli i varfërisë në Shqipëri, në vitin 2019, ka qenë 21.8 për qind. Kjo është edhe hera e fundit kur është matur nga Instituti për Statistika i këtij vendi.
Stafa tregon se, fillimisht, e ndërmori i vetëm iniciativën në fund të vitit 2020, kur bota ishte ngërthyer nga pandemia COVID-19.
Nismën e tij e quajti “Bëhu një babagjysh në kohë COVID-i”. Thotë se gëzimi që pa te fëmijët e zonave të varfra, por edhe interesimi i personave që iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar, e nxitën ta vazhdojë atë.
“Kartolina fizike jep tjetër emocion”
Nga viti i kaluar, Stafës iu bashkua edhe Flavia Hitaj, e cila punon në fushën e marketingut, dhe nismën e quajtën “Po t’vjen një kartolinë”.
“Sot, njerëzit mjaftohen me një kartolinë digjitale urimi. Të njëjtën ua dërgojnë ndoshta edhe mijëra personave. Ndërsa, kartolina fizike jep tjetër emocion, ti e personalizon për njeriun që do t’ia dërgosh. Andaj, e kam futur këtë element në nismën time dhe kjo u ka pëlqyer njerëzve që marrin përsipër të dhurojnë”, thotë Stafa.
Hitaj tregon se, vitin që shkoi, u përfshi për ta ndihmuar Stafën për pjesën e dizajnit në rrjetet sociale, por më pas u bë pjesë e nismës.
Ajo thotë se ndihet shumë mirë që nga njëra anë befason fëmijët e varfër, e nga ana tjetër është edhe vetë e befasuar se sa shumë njerëz ofrohen për t’i gëzuar këta fëmijë.
“Biçikleta kishte qenë e vetmja gjë që donte”
Nga vjet i kanë mbetur në mendje disa përjetime.
“Kemi shpërndarë dhurata për fëmijë shumë të varfër, as që e kishin menduar ndonjëherë se dikush do t’iu çonte një dhuratë. Nuk arrinin të flisnin, as të thoshin: faleminderit. Ishin thjesht të habitur”.
“Në një rast tjetër, tri vajza u ofruan për t’i dhuruar biçikletë një moshatares së tyre në një fshat të Librazhdit dhe kishin qëlluar në shenjë. Biçikleta kishte qenë e vetmja gjë që donte dhe ka qarë nga gëzimi kur ia dhuruam”.
“Ndërsa, në fshatin Rranxë të Krujës do t’i dërgonim një laptop një nxënëseje të shkëlqyer, por ishte shumë e turpshme dhe nuk erdhi ta merrte. Na u desh t’i shkonim në shtëpi për t’ia dorëzuar”, rrëfen Hitaj.
Stafa dhe Hitaj kanë gati listën me emra fëmijësh, nga kopshti deri në klasën e 9-të të shkollës fillore, që do të marrin dhurata sivjet.
Ata kontaktojnë çdo ditë njerëz bujarë që marrin përsipër një apo më shumë dhurata. Ata u japin atyre emrin dhe mbiemrin e fëmijëve, moshën dhe gjininë, i presin dhuratat dhe nisin shpërndarjen e tyre në dy javët e fundit të dhjetorit.
“Nuk duam të bëjmë ndarje të fëmijëve, edhe pse ka nga ata që mund të jenë në një gjendje më të mirë ekonomike. Nëse marrim përsipër një shkollë, të gjithë fëmijët e asaj shkolle marrin dhuratë”, thotë Stafa.
“Po flasim për shkolla në zona të thella, ku gjithë shkolla nuk ka më shumë se 30 nxënës. Duam që të gjithë të ndjehen mirë, ndaj nuk e shohim si bamirësi, që thjesht çojmë dhuratat dhe kaq. E shohim si një gjest të bukur për këta fëmijë. Zhvillojmë aktivitete, i nxisim të recitojnë, këndojnë, tregojnë, bëjmë kuize dhe në fund i shpërndajmë dhuratat për të gjithë”, tregon gazetari.
Ai shton se nisma, përveçse i gëzon fëmijët, ka edhe disa efekte që e befasojnë për të mirë.
“Është angazhimi i njerëzve për fëmijë që as nuk i njohin, duke nxitur atë ndjeshmërinë që herë-herë duket se mungon në shoqërinë tonë. Ata që dhurojnë, duhet t’i bëjnë të gjitha vetë, pra ta mendojnë dhuratën, ta blejnë, ta paketojnë së bashku me një kartolinë dhe ta sjellin. Pra, i angazhon këta njerëz. Por, jo vetëm kaq. Nëse vjet ne kemi trokitur në një shkollë, sivjet ka raste kur fëmijë të këtyre shkollave janë organizuar dhe po bëjnë dhurata për fëmijë të shkollave të tjera”, thotë Stafa.
Në vitin 2020, me nismën “Bëhu një babagjysh në kohë COVID-i” janë surprizuar 800 fëmijë. Vjet, ky numër shkoi në 1.150.
Sivjet, Stafa dhe Hitaj thonë se presin që numri të jetë edhe më i lartë, por janë ende në pritje të atyre që do të dhurojnë.
Nisma është shtrirë në fshatra të thella të Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Lizbrazhdit, Elbasanit, Lushnjës, Kavajës, Krujës, Burrelit, Bulqizës, Peshkopisë, Tropojës, Korçës, Gjirokastrës etj.