Ukraina mund të jetë përafruar më shumë me NATO-n në samitin e aleancës ushtarake në Uashington, këtë javë, por është vështirë t’i shpëtosh ndjenjës se, pavarësisht premtimeve mbresëlënëse, gjërat nuk janë edhe aq rozë sa thuhet të jenë – e sidomos nga këndvështrimi i Kievit.
Në realitet, aleanca ushtarake vazhdon ta mbajë Ukrainën larg dhe zgjedhjet në ShBA janë afër.
Ukraina, edhe ashtu, nuk do të merrte ndonjë ftesë në këtë samit, për t’u anëtarësuar në NATO. Kjo nuk do të ndodhë derisa lufta vazhdon. Për më tepër, 32 aleatët do të duhet të arrijnë marrëveshje unanime për t’i bërë ftesë të tillë, e ky konsensus sot nuk ekziston.
Në samit, ata u angazhuan në hartimin e një komunikate që do të tingëllonte më inkurajuese për Kievin, se ajo e mëparshmja. Dhe, teksti në Uashington është pak më i mirë për Ukrainën se ai në Vilnius – i rënë dakord në samitin e verës së kaluar.
Ashtu sikurse në vitin 2023, në tekst thuhet se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, se ministrat e Jashtëm të NATO-s do të vazhdojnë t’i vlerësojnë përpjekjet e saj për reforma dhe se “ne do të jemi në pozitë ta ftojmë Ukrainën për t’iu bashkuar Aleancës kur aleatët të bien dakord dhe kushtet të përmbushen”.
Të reja këtë vit ishin fjalët “urë” dhe “e pakthyeshme”. Në tekst u theksua se “vendimet e Samitit të NATO-s dhe Këshillit NATO-Ukrainë, të kombinuara me punën e vazhdueshme të aleatëve, përbëjnë një urë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”. Megjithatë, zyrtarët hamendeshin se çfarë, në fakt, nënkupton kjo “urë” dhe pyesnin, në mënyrë metaforike, nëse është e gjatë apo e shkurtër dhe sa solide është.
Fjalia më e rëndësishme ishte: “Ndërsa Ukraina vazhdon këtë punë jetike, ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO”.
Shtrohet pyetja nëse kjo pakthyeshmëri është vetëm një fjalë në letër, pasi fati i Ukrainës në NATO vendoset në fushëbetejë, po aq sa në tryezën e negociatave. Dhe, meqë Ukraina, gjatë takimit në Uashington, nuk mori ndonjë dritë jeshile për të goditur më thellë në territorin rus, limitet e mbështetjes së Perëndimit, ashtu si edhe shanset e Ukrainës për fitore në luftë, mbeten të kufizuara.
Për të nxjerrë në pah një rezultat konkret, mikpritësit amerikanë thanë – me njëfarë triumfi – se avionët luftarakë F-16 nga Danimarka dhe Holanda janë rrugës për në Ukrainë dhe se ata do të fluturojnë mbi qiellin e Ukrainës këtë verë.
Ky është, sigurisht, një përforcim, por shpresa ishte që ata të arrinin në pranverë, pasi Kievi po i kërkonte për gati dy vjet. Është gjithashtu e qartë se vendi i shkatërruar nga lufta, do t’i marrë vetëm gjysmën e 128 avionëve që ka kërkuar deri në vitin 2027.
Në Uashington u bë po ashtu e ditur se Ukraina do të marrë pesë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, edhe pse dihej që më parë se katër prej tyre ishin në dispozicion.
Misioni stërvitor i NATO-s për trupat ukrainase në territorin e një vendi aleat u stampua gjithashtu – gjë që, sipas organizatës ushtarake, do ta rrisë edhe më tej ndërveprimin e Ukrainës me të. Megjithatë, ajo nxitoi për të theksuar se kjo nuk do ta bëjë NATO-n “palë në konflikt”.
Aleatët u zotuan se do t’i japin Ukrainës edhe ndihma të ndryshme ushtarake në vlerë prej 40 miliardë eurosh, vitin e ardhshëm. Por, në këtë, vendet mund t’i përfshijnë edhe kostot që lidhen me mirëmbajtjen dhe transportin e pajisjeve për Ukrainën, trajnimin e ushtarëve të saj, investimet në industrinë e mbrojtjes të Ukrainës dhe paratë në fondet e mirëbesimit të NATO-s për këtë vend, që përfshijnë ndihma jovdekjeprurëse.
Megjithatë, ankesa nga Kievi këtë herë nuk kishte. Organizatorët donin t’i shmangnin skenat e Vilniusit, në të cilat presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri hapur në dyshim nivelin e ambicieve të shfaqura. Kësaj radhe, ai nuk e humbi rastin për të shprehur “mirënjohje” – tërësisht i vetëdijshëm dhe i informuar që të mos kërkojë shumë.
Përtej Ukrainës, ishte mjaft mbresëlënëse që Gjeorgjia, e cila aspiron anëtarësimin në NATO që nga viti 2008, nuk u përmend fare në deklaratën përfundimtare – përveç për pushtimin nga Rusia të një pjese të saj.
Fakti që Moldavia, e cila për nga Kushtetuta e saj është neutrale, u përmend më shumë se Gjeorgjia, tregon për një distancim në rritje të Tbilisit nga institucionet perëndimore.
Ndërsa samiti u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, formulimi për Kinën ishte edhe më i mprehtë se zakonisht. Pekini u përmend për herë të parë në një deklaratë të NATO-s në vitin 2019 dhe, që atëherë, Uashingtoni ka këmbëngulur në një qëndrim të ashpër.
Këtë herë, Aleanca vuri në dukje se Republika Popullore e Kinës është bërë një ndihmëse e rëndësishme e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, përmes të ashtuquajturit partneritet “pa kufij” dhe mbështetjes së saj në shkallë të gjerë për industrinë ruse të mbrojtjes” dhe shtoi se Pekini “nuk mund ta ndihmojë luftën më të madhe në Evropë në historinë e fundit, pa ndikuar kjo negativisht në interesat dhe reputacionin e tij”.
Megjithatë, kur u pyet se me çfarë pasojash do të përballej Kina nëse vazhdon në këtë mënyrë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim, Jens Stoltenberg, e anashkaloi në mënyrë elegante pyetjen.
Ky nuk pritej të ishte një samit historik me rezultate të mëdha. Ishte një festë për 75-vjetorin e NATO-s, që rastisi vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve vendimtare presidenciale në SHBA.
Në këtë aspekt, performanca shumë e kritikuar e presidentit Joe Biden në një debat me kundërkandidatin republikan dhe skeptik ndaj NATO-s, Donald Trump, e la në hije gjithë takimin.
Biden, në përgjithësi, performoi mirë në detyrat e tij publike në samit, por nuk kaloi pa gafe. Ai, fillimisht, e prezantoi presidentin Zelensky si “presidenti Putin”, përpara se ta korrigjonte vetveten, ndërsa udhëheqësi ukrainas e nxori shpejt nga situata, duke bërë shaka se ai është shumë më i mirë se Putini.
Në konferencën përfundimtare për mediat, ai i ngatërroi emrat e nënpresidentes Kamala Harris dhe rivalit të tij kryesor, Trump. Shumica e pyetjeve në atë konferencë ishin në lidhje me zgjedhjet dhe përshtatshmërinë e tij presidenciale.
Dhe, ka shumë gjasa që këto pyetje dhe thirrjet e shumë kolegëve të tij partiakë për t’u larguar nga gara, të mbeten edhe trashëgimia e fortë e këtij samiti. /Radio Evropa e Lirë/