Përfaqësuesit e sektorit civil në Kosovë, të cilët monitorojnë sundimin e ligjit, kanë qëndrime të ndryshme për intervistimin e 14 punëtorëve të komunës paralele serbe në Shtërpcë, të cilët deri para dy vjetësh kanë punuar aty.
Kjo komunë paralele u mbyll gjatë një operacioni të policisë së Kosovës në vitin 2022, kur u konfiskuan kamerat e sigurisë që besohej se ishin instaluar nga struktura serbe e autoriteteve lokale. Pastaj zyra e prokurorit nga Ferizaj konfiskoi kompjuterë dhe dokumentet që u gjetën në objektet e saj.
Boban Petkoviq, avokat i njërit prej punëtorëve të intervistuar me iniciale Z.J., ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se punëtorët e asaj komune tani po dyshohen për “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”.
Prokuroria në Ferizaj i tha Radios Evropa e Lirë se ajo ka autorizuar Departamentin e Krimeve të Rënda për intervistimin e personave të dyshuar.
Aleksandar Rapajiq nga Qendra joqeveritare për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike beson se institucionet e para gjyqësore të Kosovës “e interpretojnë ligjin shumë gjerë kur është fjala për komunitetin serb”, duke përfshirë edhe kualifikimin e veprës penale “shkelje e rendit kushtetues të Kosovës”.
Ai paralajmëron se tani, me të njëjtat akuza mund të përballen edhe punëtorët e tjerë në institucionet e financuara nga buxheti i Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 2 shkurt të këtij viti se në Kosovë janë rreth 31 mijë të punësuar në institucionet që punojnë sipas sistemit serb.
Në buxhetin e vitit 2024, Qeveria e Serbisë ka ndarë për Kosovën rreth 140 milionë euro, rreth 11 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar. Serbia kryesisht i jep ato para për paga dhe funksionimin e institucioneve të saj në Kosovë.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë sqaron se si rezultat i Marrëveshjes Prishtinë-Beograd, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për amnisti me qëllim që të mos ndiqen penalisht të punësuarit në institucionet serbe, por të integrohen në institucionet e Kosovës.
Ai rikujton se Serbia atëherë është dashur t’i mbyllë institucionet e saj në Kosovë, por kjo nuk ka ndodhur deri më sot.
“Në këtë kuptim, prokurori i shtetit ka kompetencë dhe juridiksion për të iniciuar hetime ndaj çdo individi që kryen funksione publike kundër rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, thotë Miftaraj.
Çfarë konsiderohet shkelje e rendit kushtetues të Kosovës?
Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, përdorimi i dhunës apo kërcënimi me dhunë për të tentuar ndryshimin e rendit kushtetues konsiderohet si sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
Gjithashtu, cenim konsiderohet edhe rrëzimi i institucioneve më të larta të Kosovës ose kur dikush me dhunë tenton të pengojë vendosjen e rendit kushtetues ose kërcënon pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, dhe karakterin demokratik të vendit.
Ndër tjerash, spiunazhi konsiderohet edhe shkelje e rendit kushtetues të Kosovës, pra kur një person formon rrjet apo organizatë inteligjente për një shtet të huaj dhe mbledh informacione konfidenciale për një shtet tjetër.
Dënimet e parashikuara me burgim për këto krime janë nga pesë deri në dhjetë vjet burgim.
Kosova nuk i njeh institucionet që punojnë nën sistemin serb dhe i konsideron të paligjshme. Në fillim të vitit 2024, janë mbyllur edhe disa komuna paralele apo “Autoritete të Përkohshme Komunale” në rajonin e Pejës dhe Dragashit, gjë që çoi në reagimin e bashkësisë ndërkombëtare me arsyetimin se vendime të tilla mund të rrisin tensionet.
Cila është barra për punëtorët e Komunës paralele serbe të Shtërpcës?
Avokati Boban Petkoviq thotë se vepra penale që u ngarkohet punëtorëve nuk është përmendur në ftesën për intervistim të punëtorëve, por për këtë e ka marrë vesh më vonë nga policët.
“I vetmi shpjegim që na dhanë, që për mendimin tim nuk është logjik, është se klienti im dhe 13 punëtorë të tjerë të komunës paralele të Shtërpcës akuzohen për prishje të rendit kushtetues, sepse kanë punuar sipas ligjeve të Republikës së Serbisë dhe kështu punonin kundër ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë ai për REL-in.
Petkoviq shton se disa nga pyetjet në seancë ishin: sa punëtorë ka në Autoritetin e Përkohshëm Komunal të Shtërpcës, sa departamente, cilat ishin përgjegjësitë e tyre dhe nëse kanë lëshuar leje ndërtimi, letërnjoftime dhe dokumente të tjera.
Si funksionojnë institucionet serbe në Kosovë?
Në Kosovë janë mbi 20 Autoritete të Përkohshme Komunale që punojnë nën sistemin serb.
Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale serbe nuk mbahen në Kosovë, kryetarët dhe anëtarët e këtyre organeve emërohen nga Qeveria e Serbisë.
Disa nga këto organe komunale nuk janë plotësisht funksionale, por ka edhe nga ato që kryejnë veprimtarinë e tyre dhe ofrojnë shërbime për qytetarët. Për shembull, në Komunën me shumicë serbe të Graçanicës, ekziston Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Prishtinës, ku banorët mund të mbledhin dokumentet që u nevojiten gjatë ditëve të javës.
Përveç Autoriteteve të Përkohshme Komunale, në komunitetet serbe në Kosovë funksionojnë disa institucione serbe si Qendrat për Punë Sociale, Zyrat e Punësimit, Bashkësigurimet pensionale dhe shëndetësore.
Gjithashtu, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore në komunitetet serbe në Kosovë financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë sipas ligjeve serbe.
Avokati Petkoviq konsideron se punonjësit në institucionet serbe nuk duhet të akuzohen për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës dhe thotë se bëhet fjalë për “presion politik ndaj komunitetit serb”.
“Njerëzit tani janë shumë të frikësuar, këta persona që janë marrë në pyetje janë shumë të frikësuar për sigurinë e tyre”, thekson ai duke shtuar se tani të gjithë punëtorët në institucionet serbe në Kosovë ndihen të “kërcënuar”.
“Ky është një test, nëse kjo kalon, kallëzimet e radhës penale do të jenë kundër disa dhjetëra mijëra serbëve (që punojnë në institucionet serbe)”, shtoi ai.
Reagimet nga Serbia
Më 15 korrik, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se qëllimi i vetëm i marrjes në pyetje të punëtorëve në sistemin serb është që të “thyhet shpirti i popullit serb” dhe “të detyrohen ata të largohen nga shtëpitë e tyre përmes presionit dhe frikësimit shtesë”.
“Përmes kësaj lloj dhune institucionale, Albin Kurti dëshiron të shfuqizojë institucionet serbe në Kosovë dhe të fshijë gjurmët e ekzistencës serbe në këto zona”, thuhet në njoftim.
Aty shtohet se Zyra për Kosovën për këtë rast e ka njoftuar ndërmjetësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak, dhe misionet tjera relevante ndërkombëtare.
A janë të rrezikuar punonjësit e institucioneve serbe?
Për Rapajiqin, intervistimi i punonjësve të komunës së Shtërpcës, të cilët kanë punuar në sistemin serb, është “shumë i rrezikshëm” sepse shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë punojnë në institucione të financuara nga Serbia.
“Hapet mundësia që çdo punëtor që paguhet nga Serbia, të akuzohet për cenim të rendit kushtetues të Kosovës. Është një goditje e madhe për komunitetin serb, i cili ka mbijetuar gjithë këto vite falë të ardhurave nga Serbia”, thotë ai.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përveç pagave, marrin edhe të ardhura të tjera nga buxheti i Serbisë, si pensionet, ndihmat sociale, shtesat për lehonat, ato për fëmijë etj.
Marrja e këtyre beneficioneve ka qenë e vështirë që nga fillimi i vitit për shkak se Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro duke mos pranuar ato në dinarë. Kjo çështje ishte temë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por palët nuk arritën të gjenin zgjidhje.
Aktualisht, ata që marrin të ardhura në dinarë mund t’i tërheqin ato vetëm në qytetet e Serbisë ose në euro në Kosovë me komision.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nuk e përjashton mundësinë që seancat dëgjimore të punonjësve të institucioneve serbe të rrisin tensione dhe thekson se kjo është edhe arsyeja pse bashkësia ndërkombëtare insiston që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë dialogun.
“Arsyeja pse BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare po përpiqen ta bëjnë këtë dialog të suksesshëm në Bruksel është të ulen tensionet dhe të vendoset një atmosferë, në të cilën komunitetet do të afrohen, gjë që fatkeqësisht ende nuk po ndodh në Kosovë”, thotë ai.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë në veri, duke vrarë një pjesëtar të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur disa kushte për vazhdimin e dialogut, përfshirë ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin dhe besohet të jetë në Serbi.