Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me krerët e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
“Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.
Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca…Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje.
“Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën dhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.
Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.
“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë sot në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LVV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.
Pas takimit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij dhe partitë e tjera opozitare kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar 2025.
“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”, shkroi ai në Facebook.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit, Osmani tha se kjo mundësio “ligjërisht ende ekziston”.
“Megjithatë ,shpërndarja e kuvendit kërkon dy të tretat e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë, është çështje e tyre. Sot nuk u duk një dispononim i tillë”, tha ajo.
Kur do të mund të mbahen zgjedhjet?
Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, mandati i Kuvendit përfundon 30 ditë para periudhës 4-vjeçare prej konstituimit të tij.
“Rrjedhimisht, presidentja ka një afat që sipas ligjit përcaktohet të jetë jo më herët se 60 dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit që nënkupton se presidentja aktualisht ka vetëm katër data që mund t’ua ofrojë subjekteve politike si data kur mund të ketë zgjedhje të rregullta”, tha Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
“Këto përfshijnë 26 janarin, 2, 9 dhe 16 shkurtin. Pra, këto janë datat e vetme kur në Kosovë mund të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare derisa çdo datë jashtë këtyre, respektivisht më herët se këto paraqesin zgjedhje të parakohshme”, shtoi ai.
Cakolli tha se presidentja ka afat deri në mesin e muajit tetor që të caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por duke pasur parasysh reformën zgjedhore, ajo mund të dojë që data të caktohet më herët, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë më shumë kohë që t’i përgatisë votimet.
Po ashtu, sipas tij, nuk është në interesin e asnjërit subjekt politik që zgjedhjet të mbahen në janar apo shkurt, kur moti është i ftohtë dhe ditët janë më të shkurta.
“Prandaj edhe mund të gjendet ndonjë modalitet për t’i mbajtur zgjedhjet edhe më herët, por kjo varet kryekëput nga arritja e një dakordimi”, tha Cakolli.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
Duke pasur për bazë këto qëndrime të partive opozitare, Cakolli tha se do të jetë “e vështirë” që njëra nga partitë opozitare të tërhiqet nga qëndrimet rreth mënyrës se si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
A do të marrë pjesë Lista Serbe në zgjedhje?
Politologu Ognjen Gogiq vlerëson se Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit, do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse në të kundërtën do të humbiste mandate në Kuvendin e Kosovës.
“Kur doli Lista Serbe nga institucionet e Kosovës dhe kur bojkotuan zgjedhjet në veri, menduan se do ta fusin Kosovën në një situatë nga e cila nuk mund të dilte. Por u gjet një zgjidhje”, tha Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës në veri, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, për shkak të insistimit të autoriteteve të Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit nga targat serbe në Kosovë.
Deputetët që dhanë dorëheqje u zëvendësuan me deputetë të rinj nga Lista Serbe, me qëllim që partia të mos humbë mandatet.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti serb ka dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe bojkotojnë seancat plenare, por paraqiten çdo gjashtë muaj për disa minuta që të mos e humbin mandatin.
Ndërkaq sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në Qeveri, në dhjetor të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti emëroi Nenad Rashiq nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në postin e ministrit për Komunitet dhe Kthim. Ndërkaq, Rashiq emëroi Radoica Radomiroviqin nga Leposaviqi si zëvendës të tij.
Çfarë mund të pritet nga zgjedhjet?
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Prishtina, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka indikacione për potencial të ndonjë ndryshimi radikal në spektrin politik kosovar.
“Qeveria Kurti gjendet në zonë të komforit. Është duke punuar me inercinë e fitores së madhe në zgjedhjet e kaluara dhe nuk ndihet e rrezikuar seriozisht nga opozita, e cila ende nuk e ka gjetur çelësin e dekodimit të populizmit të gjithëpranishëm”, thotë ai.
Sipas Muhaxhirit, gjatë fushatës zgjedhore pritet që tema kryesore e kryeministrit Kurti të jetë ndryshimi i dinamikave në veriun e Kosovës, gjë të cilën do ta prezantojë si “hapin e parë në transformimin afatgjatë të vendit, edhe pse situata në atë pjesë është larg nga të qenët e zgjidhur me stabilitet organik”.
“Kjo do të jetë atuja e tij e vetme, sepse gjatë qeverisjes së deritashme – përveç dëmtimit të raporteve me aleatët strategjikë, nuk ka dëshmuar vizion realist për përmirësimin e problemeve socio-ekonomike, joshjen e investimeve të huaja dhe avancimet infrastrukturore”, vlerëson ai.
Qeveria e kryeministrit Kurti në dy vjetët e fundit ka punuar intensivisht në vendosjen e pushtetit në veri të Kosovës, gjë që ka hasur në rezistencë nga popullata lokale dhe ndonjëherë edhe me kritika nga bashkësia ndërkombëtare. Disa nga vendimet që janë zbatuar janë riregjistrimi i automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës, ndërrimi i patentë shoferëve, heqja nga përdorimi i dinarit serb, mbyllja e disa institucioneve që punojnë në sistemin serb.